Arbëri

Në konkursin për drejtor të Fondit të Sigurimeve përjashtohen menaxherët aktualë

Katër institucione të shëndetësisë publike janë pa drejtues. Për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore konkursi është hapur të mërkurën. Konkursi eliminon nga gara, përmes një kriteri të vendosur, të gjithë menaxherët aktualë të institucioneve publike dhe atyre që brenda 3 vjetësh e kanë pasur këtë rol. Konkursi ishte hapur para rreth dy muajsh edhe për kryeshef të AKPPM-së e të Inspektoratit Shëndetësor, por që janë anuluar javën e kaluar. E për drejtor të ShSKUK-së nuk është hapur konkurs

Pasditen e së mërkurës është hapur konkursi për drejtor të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Hapja e këtij konkurs u bë disa muaj pasi bordi i këtij institucioni shkarkoi ish-drejtorin pas hulumtimit të KOHËS për mënyrën se si funksionon ky institucion.

Në mesin e shumë e kritereve, është vendosur edhe një kriter që ndalon menaxherët aktualë të shëndetësisë publike të bëhen pjesë e konkursit. Kjo në konkurs thuhet që është kërkesë specifike. Një gjë e tillë në të kaluarën nuk është praktikuar sa u përket institucioneve shëndetësore.

“Të mos ketë pasur pronësi zotëruese-kontrolluese ose pozitë drejtuese në institucionet shëndetësore publike ose private, përfshirë barnatoret në 3 vjetët e fundit”, thuhet në kriteret e vendosura.

Ministria e Shëndetësisë, përveç këtij institucioni, ka edhe tri institucione dhe trupa shumë të rëndësishëm për të cilat i duhet të hapë konkurse.

Në muajin dhjetor ishin hapur konkurset për kryeshef të Agjencisë Kosovare të Produkteve Mjekësore dhe Inspektoratit Shëndetësor. Të dyja këto, siç ka mësuar KOHA, janë anuluar javën e kaluar.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje me shkrim, ka konfirmuar anulimin e konkursit vetëm për kryeshefin e AKPPM-së.

“Ju njoftojmë se konkursi për kryeinspektor shëndetësor është në proces e sipër dhe nuk është anuluar, ndërsa konkursi për kryeshef të AKPPM-së, sipas informatave, është anuluar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, prandaj përgjigjen lidhur me këtë pyetje, luteni që ta merrni nga ky departament i MPB-së”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

AKPPM-ja është gati 5 vjet pa kryeshef. Për me shumë se katër vjet as që është provuar të hapet konkurs për këtë pozitë.

KOHA ka dërguar disa pyetje në MSH për mënyrën se si funksionon ky institucion, por nuk ka kthyer përgjigje.
Burime të ndryshme kanë konfirmuar se edhe konkursi për inspektor është anuluar. Ky trup ka rreth 3 vjet pa kryeinspektor. Ka funksionuar vetëm me ushtrues detyre e që për këtë periudhë janë ndërruar të paktën tri herë.

Me ushtrues detyre udhëhiqet edhe SHSKUK-ja. Pranvera Zejnullahu Raçi është në këtë pozitë që prej gushtit të vitit të kaluar.

Përbërja e bordit aktual të SHSKUK-së ka mandat deri në muajin mars, e konkursi ende nuk është hapur.

Në Ministrinë e Shëndetësisë ka edhe shumë departamente që me vite udhëhiqen nga ushtrues detyre. Një gjë e tillë është konstatuar edhe në raportet e auditimit për këtë institucion.