Arbëri

Vlerësohen të dobëta masat ndëshkuese për punëtorët shëndetësorë që bëjnë shkelje në punë

Klinika e ORL-se

Logopedi Iljasa Fazliu, i dyshuar se në klinikën e tij private e keqtrajtoi një 3-vjeçare me autizëm, është rikthyer në punë në QKUK, gati dy muaj pas suspendimit nga puna në Klinikën e Otorinolaringologjisë.

Nën dyshimin e bazuar se kreu vepër penale: “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, Prokuroria Themelore në Gjilan pati ngritur aktakuzë ndaj tij. Më 19 dhjetor, masa e paraburgimit iu zëvendësua me atë të ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit, deri më 18 janar.

Në kohën kur pati ndodhur rasti Fazliut i kishte skaduar licenca. Për kthimin në këtë klinikë ai duhej të rilicencohej. Por bazuar në institucionet përkatëse, procedura është ende në shqyrtim që nga 5 janari.

“Bazuar në vendimet e SHSKUK-së, i njëjti nuk rezulton se ka ndonjë masë ndëshkuese nga organet e SHSKUK-së. I njëjti është në procedurë të rilicencimit dhe varësisht nga ecuria e procesit penal, Oda e Infermierëve do të ndërmerr masa”, thuhet nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

Për kthimin e tij në punë, në SHSKUK thanë se ai nuk është më ushtrues i detyrës së shefit të defektologjisë, pozitë kjo që e mbante para suspendimit.

“Komision Disiplinor vendimin e ka bazuar në Certifikatën mbi Dënimet Penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku I.F. figuron se nuk është i dënuar me Aktgjykim të formës së Prerë”, thuhet nga SHSKUK-ja.

Lidhur me rastin Fazliu nuk pranoi të deklarohet. Ai nuk është i vetmi punëtor shëndetësor që u rikthye në punë pas përfundimit të masës së suspendimit e kalimit nëpër komisione disiplinore.

Rregullorja e SHSKUK-së për procedurat e përgjegjësisë disiplinore e materiale parasheh që për shkelje të rënda të ketë ulje në pozitë deri në 5 vjet, ndalesë prej 20 për qind nga paga bazë, suspendim të përkohshëm dhe ndërprerje të marrëdhënies së punës.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, thotë se krahas komisioneve disiplinore, vendime mbi masat mund të merren edhe në odat e profileve përkatëse dhe në gjykata.

“Një është marrja e licencës me kohë të përkohshme dhe të caktohet sa është ajo kohë. Dhe masa më e rëndë është marrja e përhershme e licencës, dhe në këto dy raste nuk duhet të rikthehet në punë pa marrë parasysh çka vendos punëdhënësi në një klinikë”, tha Sejdiu.

Avokati Anton Nrecaj thotë se për raste të keqtrajtimit të pacientëve dhe të shkeljeve të rregullave të punës duhet të ketë masa më të rrepta.

“Kur ata njerëz shkelin Kodin e Etikës, natyrisht që ndaj tyre duhet të merren masa, por që deri më tani nuk kemi parë që kemi pasur masa apo sanksione të rrepta, të cilat kanë ndikuar apo kanë përçuar një mesazh te profesionistët e tjerë që të njëjtat masa do të ndërmerren ndaj secilit, cilido që shkel Kodin e Etikës”, tha Ndrecaj.

Bazuar në të dhënat e Odës së Mjekëve, 10 lëndë janë në procedurë të trajtimit nga Prokurori i Odës dhe pesë në Këshill të Etikës.