Arbëri

Osmani e Konjufca në Deçan: Jusuf Gërvalla zë i lirisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, janë pritur në familjen e heroit Jusuf Gërvalla, në fshatin Dubovik të Deçanit.

Osmani shkroi në Facebook se u pritën nga vajza e Jusuf Gërvallës, zv.kryeministrja Donika Gërvalla. Aty, Osmani tha se nderuan luftën dhe sakrificën e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës.

“Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut! Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët”, shkroi Osmani.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka, u vranë më 18 janar 1982 në Gjermani.