Arbëri

Kurti: Asociacioni s’po zbatohet sepse është në kundërshtim me Kushtetutën

Descriptive Text

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk janë normale dhe se ato duhet t’i normalizojnë.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën dhe për këtë arsye ajo nuk është duke u zbatuar.

“Paraardhësit e mi kanë lidhur 33 marrëveshje në dhjetë vjet, në bisedime në Bruksel. Njëra prej tyre është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. E vetmja marrëveshje që dështoi në testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, ne gjendemi në këtë vështirësi”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij Kosova garanton nivelin më të lartë të të drejtave të pakicave, sidomos për minoritetin serb. “Shteti ynë është i përbërë nga 93% shqiptarë, gati 5% serbë, pjesa tjetër janë boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë, turq dhe goranë. Ne zbatojmë në mënyrë të njëanshme parimet e Kushtetutës sonë të shkruara nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari në periudhën para shpalljes së Pavarësisë. Bëhet fjalë për standardet më të larta evropiane. Një asociacion etnik i komunave bie ndesh me frymën e Kushtetutës sonë”, është shprehur Kurti.

Ai ka mohuar insistimet e Beogradit se Kosova nuk po respekton të drejtat e komunitetit serb. Sipas tij Beogradi insiston në këtë pikë sepse nuk dëshiron të ketë një marrëveshje. “Ajo që duhet është që Serbia të njohë krimet e saj në historinë e saj të vonë, të distancohet nga e kaluara e saj, Millosheviqi, dhe nga e tashmja e saj, Putini ... Mendoj se është koha për të gjetur një dialog me Serbinë. Por nga propozimet e BE-së, të refuzuara nga Beogradi më 27 tetorin e kaluar, ata duan të nxjerrin vetëm atë që u përshtatet”, ka deklaruar Kurti.

Sipas Kurtit Kosova është obsesioni i Putinit. “Vuçiqi, në vitet 1990, kishte si slogan "Serbia e Madhe", ndërsa tani e ka ndryshuar në "Bota Serbe", imitim i shprehjes ruse Russkiy Mir. Beogradi është regjimi klientelist më i afërt dhe më i fortë me Kremlinin. Serbia dëshiron sërish Serbinë e Madhe, dëshiron Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, dëshiron të transformojë Malin e Zi në Ukrainë dhe dëshiron të na e marrë veriun e Kosovës. Kur është fjala për Asociacionin e Komunave nuk bëhet fjalë për të drejtat e serbëve, por për territorializimin e të drejtave. Një mentalitet i ngjashëm me atë të presidentit despotik Putin”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij Serbia ka bërë një zgjedhje, kur ka nënshkruar tri marrëveshje të mëdha me Rusinë. “Në maj, për gazin me çmimin më të lirë, në shtator, me marrëveshjen midis ish-ministrit të Punëve të Jashtme Selakoviq dhe ministrit rus Lavrov në Nju Jork për të sinkronizuar politikën e jashtme. Së fundmi, politikani serb më pro-rus, Aleksandar Vulin, ish-nënkryetar i partisë së udhëhequr nga gruaja e Millosheviqit, Mira Markoviq, tani është shefi i inteligjencës së Serbisë. Ka nga ata që nuk duan të shohin, kjo është shumë e qartë për mua”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij në politikën e saj ndaj Rusisë, BE-ja duhet të jetë më e qartë. “BE duhet të jetë më e qartë dhe më e vendosur. Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, nuk dënoi agresionin ukrainas dhe Kisha Ortodokse Serbe është në të njëjtën linjë me Kirillin. Prandaj mendoj se BE-ja duhet të jetë e guximshme. T’i thotë të vërtetën Beogradit dhe të veprojë në bazë të rrjedhojave. BE-ja nuk duhet të jetë neutrale ndaj një shteti që nuk është neutral ndaj Rusisë”, ka deklaruar Kurti.


Kurti: Barrikadat në veri ishin barrikada të Wagnerit rus

Ai ka folur edhe për rreziqet që paraqet aleanca në mes të Rusisë dhe Serbisë.

“Rreziku konkret është se 48 baza operative janë të vendosura rreth kufirit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe dhe xhandarmërisë, më pak se 5 kilometra larg nesh. Aty qarkullojnë Night Wolves rusë (banda me motoçiklistë shumë afër Putinit shën. red.), dhe gjithashtu mercenarë dhe paraushtarakë Wagner. Ka foto me stemat e tyre. Ata ishin të pranishëm edhe në barrikadat në veri. Ato 16 barrikada ishin barrikada të Wagnerit”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij Serbia dëshiron të jetë Rusia e vogël në Ballkan, ku siç ka thënë ai, Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë Bjellorusia e vogël dhe Mali i Zi do të bëhet Ukrainë. Për veriun e Kosovës, Kurti ka thënë se “rreziku është transformimi i tij në Transnistri, si p.sh në Moldavi”

“Kjo është ajo që ata duan: një pjesë të territorit në Kosovë, por që ata gjithsesi e kontrollojnë për të minuar vendin në tërësi, por edhe Evropën”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë kufiri midis NATO-s dhe Rusisë. “Mendoj se nevojitet më shumë mbështetje nga NATO me më shumë ushtarë, përfshirë edhe italianë, në Kosovë dhe mbështetje për ushtrinë tonë”, ka thënë kryeministri.

Ai ka folur edhe për atë se si e sheh Kosovën pas dhjetë vjetësh.

“Një muaj më parë e bëmë kërkesën për anëtarësim në BE. Në të kaluarën, më të shpejtat për t'u integruar ishin Suedia dhe Finlanda në tre vjet. Qipro dhe Malta, 14 vjet. Do të doja të qëndroja në mesatare, 9 vjet. BE-ja është projekti politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit të planetit pas Luftës së Dytë Botërore. Ne duam të hyjmë për të dhënë ndihmesën tonë", ka theksuar Kurti.