Arbëri

Çitaku-Gërvallës: Shkarkimi i Berishajt nuk mjafton

Nenkryetarja e PDK-se, Vlora Citaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar edhe njëherë që ambasadori i Kosovës në Kroaci, të kthehet në Kosovë dhe të përballet me drejtësi.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se shkarkimi nuk mjafton.

“Shkarkimi nuk mjafton, Ministre! Miliona euro në kesh nuk janë fjalë. Martin Berishaj duhet të kthehet në Kosovë dhe të përballet me drejtësinë. Menjëherë”, ka thënë ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla u shpreh se deri më tani nuk ka pranuar asnjë informacion për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, se ka kryer shkeljet për të cilat po flitet nëpër medie. Ajo tha se ambasadori Berishaj nuk shkarkohet për spekulime mediatike, por kur ka arsye faktike.

Gërvalla këto komente i bëri në një konferencë për medie me kryediplomaten sllovene, Tanja Fajon.

Ajo theksoi se po vazhdon që në rrugë zyrtare të kërkojë informacione për këtë çështje.

Kryediplomatja kosovare theksoi se sot në mëngjes ka biseduar me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe se ky i fundit ka shprehur gatishmërinë për një konferencë për medie.