Arbëri

Onkologjia do 30% të buxhetit të spitaleve vetëm për 2 barna, në kundërshtim me praktikat rajonale

Descriptive Text

Onkologjia ende nuk e ka ndryshuar planifikimin për blerjen e barnave. Në këtë Klinikë planifikuan që me rreth 10 milionë euro të blejnë vetëm dy lloje barnash. KOHA i analizoi praktikat e aplikimit të tyre në shtetet e rajonit. Për dallim nga Kosova, ku ato planifikohen që të aplikohen te një numër i madh pacientësh, pa përcaktim të indikacioneve, në shtetet e rajonit ato jepen për rastet me indikacione të qarta, rëndom për vetëm një ose dy lloje të kancerit

Në emër të pacientëve me kancer, Klinika e Onkologjisë planifikon të shpenzojë në vetëm dy produkte, rreth 30 përqindëshin e buxhetit për të gjitha barnat në SHSKUK e spitale rajonale.

Gati 10 milionë, kjo Klinikë i planifikoi për produktet e barnave të imunoterapisë - Nivolumab e Pemrozilumab. Më 2022, për to u shpenzuan 1 milion e 900 mijë euro. E sivjet, buxheti për furnizimin me barna të gjithë sistemin spitalor është rreth 36 milionë euro.

Kur më 2019 ishte finalizuar Lista Esenciale, në takimet e Komitetit Hartues u tha që këto produkte, shkaku i kostos shumë të lartë, do të përdoreshin vetëm në raste të Melanomës e një kategorie të caktuar të kancerit të mushkërive.

Më 2023, Onkologjia e rriti planifikimin e sasisë për mbi 700 për qind dhe jo vetëm për këto dy lloje të kancerit, por edhe kancer tjetër.

Në shtetet e rajonit që investojnë më shumë se Kosova në shëndetësi, produkte përdoren vetëm në raste të caktuara. Ato figurojnë në Listën Esenciale të Serbisë. Për Nivolumabin, që për një pacient kushton 5.600 euro, specifikohet përdorimi te rastet e kancerit të lëkurës dhe të veshkave.

Për Pembrozilumabin, që një pacienti për përdorimin brenda çdo tri jave i kushton mbi 6 mijë euro, në Listën e Serbisë përcaktohet aplikimi vetëm për melanoma e në disa raste, te kanceri i mushkërive.

Në Listën e Shqipërisë figuron vetëm Pembrozilumabi, që përdoret për melanoma të paoperueshme.

“Në melanomat e paoperueshme. Vetëm pasi të sigurohet prezenca e mutacionit BRAF V600 pozitiv nga një test i specializuar. Me konsultë dhe nën monitorimin e përgjegjësinë e mjekut të Shërbimit të Onkologjisë në QSUT”, thuhet në Listën Esenciale të Shqipërisë.

Pembrozilumab është edhe në listën e Mali të Zi, por me përcaktime për indikacionet e përdorimit.

Në SHSKUK e në Onkologji nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS rreth aplikimit të këtyre dy barnave. Në planin për rastet e aplikimit, qasje në të cilën pati KOHA, pjesa më e madhe e pacientëve nuk janë me melanomë e as me kancer të mushkërive.

Drejtori i Onkologjisë, Arben Bislimi, tha të mos jetë në dijeni mbi indikacionet e përdorimit, të përcaktuara më 2019.

“Na lejoni t’ju njoftojmë që shumëfishimi i sasive totale të barnave imunoterapeutike sikurse keni cituar, është rezultat i përfshirjes së shumë pacientëve në krahasim me planifikim dhe përfshirjen e shumë patologjive të tjera, përveç Melanomës malinje për të cilën ishin paraparë pacientët. Sqarimet rreth përfshirjes së pacientëve dukshëm më shumë në krahasim me ato të parapara janë ofruar zyrtarisht që në muajin Korrik të vitit 2022 nga menaxhmenti paraprak i Klinikës. Në lidhje me kushtet që ka treguar eksperti i OBSH-së rreth kontraktimit të këtyre produkteve, nuk kemi asnjë informacion zyrtar në çfarëdo forme qoftë, të shkruar apo verbale sikurse nuk kemi informatë se cilat janë kompanitë bartëse të Autorizim Marketingut për këto barna”, tha Bislimi.

KOHA e Instituti Columbus më 2018 e 2019 patën monitoruar procesin e hartimit të Listës Esenciale. Ministria e Shëndetësisë asokohe e angazhoi si ekspert në Komitetin për revidim, Nicola Magrinin, kryesues i atëhershëm i OBSH-së për Listën globale të Barnave Esenciale.

Ai pati thënë se onkologët duhet t’i kushtonin rëndësi porositjes së barnave të reja, me kosto të lartë.

“Aktualisht jo vetëm në Kosovë por edhe globalisht është debat i nxehtë cilësia e barnave të lira në njërën anë dhe çmimet e lira të barnave të reja. Mendoj që diskutimi që kemi pasur këto ditë do të mundësojë prokurim me të mirë për çmime me të mira për disa barna të vjetra që janë absolutisht esenciale dhe mund të blihen me çmime të ulëta me qëllim që të garantojnë cilësi të lartë dhe për ato me çmime të larta, seleksionimi duhet të përcaktohet në bazë të ndikimit për shpëtim jetësh duke zvogëluar vdekshmërinë dhe duke shpëtuar jetë gjë të cilën disa barna të reja mund ta bëjnë”, pati deklaruar Magrini.

Përveçse në komitet, onkologë të QKUK-së edhe u trajnuan nga eksperti Magrini mbi këtë kujdes me porosi të barnave.

Planifikimi ende nuk është dokument final, pasi, siç ka mësuar KOHA, nuk është miratuar nga Bordi i SHSKUK-së. Për revidimin e planit, një burim tha se Onkologjisë iu dha si afat i fundit, e marta e javës së ardhshme.