Arbëri

Rashiq abstenoi për ndarjen e 70 mijë eurove për librin “Reçaku” të Walkerit

Descriptive Text

Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për promovimin e librit “Reçaku” të ish-ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Por ky vendim nuk është përkrahur nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili në procesin e votimit ka abstenuar.

Propozim-vendimin e ka arsyetuar kryeministri Albin Kurti. Ai ka theksuar se këtë të diele bëhen 24 vite nga masakra e Reçakut, e cila siç ka thënë Kurti, e ka tronditur dhe tmerruar Kosovën por e ka ndërgjegjësuar dhe alarmuar botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare.

“Para jush keni propozim vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për hulumtimin, shkrimin, editimin përkthimin dhe shtypjen e librit të ambasadorit William Walker rreth masakrës së 15 janarit 1999 në fshatin Reçak dhe peshës historike të kësaj ngjarjeje. Libri do të përshkruajë ngjarjet e ndërlidhura me masakrën e Reçakut të paraqitura nga këndvështrimi i ambasadorit Walker”, ka theksuar Kurti.