Arbëri

Ia masakruan familjen në luftë, Kelmendi kërkon bojkot të produkteve serbe

Izet Kelmendi, familja e të cilit është vrarë nga serbët gjatë vitit 1999 në Gjakovë, ka bërë thirrje që të bojkotohen produktet e Serbisë.

Ai në emisionin SOT të KTV-së, deklaroi të martën se duke blerë produktet serbe, Serbia mund të forcohet dhe të kthehet sërish gjendja e luftës në Kosovë.

VIDEO:

“Lufta është arsyeja pse kam kërkuar bojkotimin e produkteve serbe. Duke furnizuar Serbinë, mund të kthehet sërish gjendja e luftës. I kam parë disa fotografi që shumë kujt i ka ndodhur ashtu, edhe mua më ka ndodhur ajo, vendosa atë fotografi në atë faqe me kërkesë që të bojkotohen produktet serbe”, deklaroi ai, duke folur për nismën “Mos bli prodhime serbe”, ku Kelmendi ka publikuar fotografi të familjes së masakruar në Masakrën e Rakovinës.

Image

Në fotografinë që Kelmendi e ka publikuar, thotë se shihet babai i tij 44-vjeçar dhe dy vëllezërit, njëri 12-vjeç e tjetri 10-vjeç, të masakruar.

“Në traktor janë burrë dhe grua, të masakruar, kanë lënë fëmijë. Hysen dhe Sanie Kurti, nga fshati Tërmjan. Lart është babai im, Shabani 44-vjeçar, Besimi 12-vjeç dhe Haxhia 10-vjet. Të vrarë më 24 janar, 1999”, tha ai.

Kelmendi tha se posedon edhe shumë fotografi të tjera, por për shkak të ndjeshmërisë s’i ka publikuar.

“Ata që kanë kryer krime duhet të dënohen, në marrëveshjen (Kosovë-Serbi v.j.) duhet të përmenden rastet dhe kriminelët. Duhet të marrin dënimin e merituar, nëse ndodh ndonjë marrëveshje duhet të merret edhe me këtë punë”, shtoi ai.