Arbëri

Nagavci: 39 nga 250 aplikantë për inspektorë të arsimit kaluan rishikimin administrativ

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se vetëm 39 nga 250 aplikantë për inspektorë të arsimit, e kanë kaluar rishikimin administrativ, për të vijuar në fazën e dytë të rekrutimit.

Rishikimi i aplikantëve sipas Nagavcit, është bërë nga divizioni përkatës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, në bazë të legjislacionit në fuqi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për rekrutim të jashtëm të 20 inspektorëve të arsimit. Konkursi ka qenë i hapur nga data 23.11.2022 deri më 07.12.2022. Nga Divizioni përkatës në MPB, i cili e ka bërë rishikimin e aplikimeve, kemi pranuar njoftimin se nga 250 aplikantë vetëm 39 e kanë kaluar rishikimin administrativ duke plotësuar kështu kriterin për të vijuar në fazën e dytë të rekrutimit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Nagavci tutje ka thënë se kandidatët që nuk e kanë kaluar rishikimin administrativ të aplikacioneve, mund të ankohen deri më 10 janar.