Arbëri

Edita Tahiri për bisedimet me Serbinë: Kosova ka nevojë për platformën shtetërore me vija të kuqe

Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, nuk pret që së shpejti të nënshkruhet marrëveshja finale në Bruksel. Megjithëse vlerëson se do të ketë një dinamizim të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ajo thekson se Kosova ka nevojë për platformën shtetërore me vija të kuqe për bisedimet për çka thotë se Kurti duhet të diskutojë me opozitën.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri thotë se nuk pret që gjërat të ecin shpejtë drejt marrëveshjes finale.

“Duke parë që kemi një Qeveri të paaftë, shumë amatore, shumë të padijshme, këto tre javë përveç që pamë tensione, u shqetësuam, pamë edhe shumë mosdije nga Qeveria Kurti. Pastaj pamë arrogancë, jo ne heqim barrikada, me këtë qasje nuk arrihet marrëveshja finale. Negociatat, për marrëveshje paqësore me armikun bëhen me dijeni, me përvojë, me mençuri, duke mos u krahasuar me X-i ne Y-in, që kjo Qeveri krejt kohën jeton me krahasimet e vetës me të tjerët. Duhet t’i harrojnë këto gjëra, duhet ta kapin timonin e shtetit me një kompetencë dhe në negociata të dinë në ato ujëra gjeopolitike, që do të jenë të ashpra në tryezën e bisedimeve për marrëveshjen finale. Qeveria duhet të bëhet një kapiten i mirë që çon Kosovën, pra të bregu, e ai breg është pika ku do të ketë njohje reciproke, e drejtpërdrejtë, e ligjshme”, thotë Tahiri.

Ajo vlerëson se Kurti duhet të takohet me partitë opozitare parlamentare dhe të bisedojë për mundësinë e marrëveshjes finale dhe vijat e kuqe që mund t’i ketë Kosova.

Ajo shton se Kosova ka nevojë për një platformë shtetërore për bisedimet me Serbinë.

“Duhet të gjejë mënyra të ulet me partitë opozitare, këtu po flasim për partitë që janë në parlament, jo individë, me partitë, qeveria me partitë opozitare dhe hapur sinqerisht kombëtarit të bisedojë - tani po vimë drejt marrëveshjes finale hajde ne po e bëjmë një plan po ndërtojmë vija të kuqe. Vetëm të ju pyes a keni parë ndonjëherë një platformë ku shihen vija të kuqe të Kurtit dhe qeverisë unë po them jo, nuk ka. Në kohën kur ne filluam në 2011-ën unë në atë kohë dola me platformën që prej asaj kohe edhe sot është në website të qeverisë dhe qartë është kapitulli i vijave të kuqe. Kurrë nuk e pamë, as Bislimi nuk doli, gjithmonë përmendi - i dorëzuam disa elemente kapituj në Bruksel. Kosova ka nevojë me pa platformën shtetërore me vija të kuqe për bisedimet, prandaj mendoj që Kurti duhet të diskutojë me opozitën”, thotë ajo.

Megjithatë, Tahiri pret dinamizim të procesit të dialogut në Bruksel dhe këtu përmend interesimin e Bashkimit Evropian që kjo çështje të ecë përpara.

“Mendoj që (procesi i dialogut) do të dinamizohet shpejt, tashmë kanë paralajmëruar edhe dy këshilltarët francez dhe gjerman, menjëherë pasi u arrit kjo marrëveshje për heqjen e barrikadave apo për lirimin e atij policit apo të tjera kushte pranimin e Asociacionit, tash ata menjëherë paralajmëruan se do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë për të vazhduar procesin. Edhe mirë bëhet se duhet të përshpejtohet apo dinamizohet ky proces se vërtetë ka ardhur koha pavarësisht sfidave dhe vështirësive, ka ardhur koha që të arrihet marrëveshja finale, të vendoset një paqe që i duhet Ballkanit dhe të mos mbetet Ballkani në ‘gojën e ujkut, në gojën e Rusisë. Derisa Ballkani është kështu i hapur, i brishtë, derisa Vuçiq luan lojën ruse në Ballkan kemi nevojë për qëndrueshmëri, stabilitet, siguri dhe këtë mund ta bëjë Bashkimi Evropian. E para duke përshpejtuar shtrirjen në Ballkanin Perëndimor, duke shpejtuar integrimin e Ksovës por edhe duke shpejtuar finalizimin e marrëveshjes finale”, thotë Tahiri.

Muajin e kaluar Kosova është përballur me provokime të Serbisë në veri të vendit, ku disa grupe serbësh lokal kishin vendosur barrikada në rrugët që çojnë drejt kufirit me Serbisë.

Përmes veprimeve të tilla, Tahiri thotë se presidenti i Serbisë synon ta paraqesë veriun e Kosovës si vend me tensione por sipas saj, Qeveria Kurti duhet ta zhbëjë këtë narrativë duke vendosur sovranitet dhe normalitet në veri.

“Të rikthejë sovranitetin në veri ashtu siç e bëmë ne, në mënyrë që kur fillojnë bisedimet e marrëveshjes finale Kosova e ka sovranitetin në veri dhe të mos lejohet që kur fillohen bisedimet finale që të mund Vuçiq të thotë s’ka asgjë në veri dhe aty e luan lojën e ndarjes së Kosovës. Edhe këtë tension (barrikadat) që e ka bërë Vuçiq me direktivat e Putinit po e dimë, këtë tension e ka bërë për t’i paraqitë botës veriun e Kosovës si një vend me tensione ku Kosova as nuk ka qasje as serbët nuk duan të jetojnë me Kosovën. Ky narrativ që e krijoi dhunshëm Vuçiqin, e Kosovës e qeverisë Kurti është ta zhbëjë këtë narrativë, ta vendosë një normalitet në veri që t’i thotë botës se atë që bëri Vuçiq ishte skenarë i ndarjes por ne jemi këtu nuk e lejojmë ndarjen e veriut, mbrojmë shtetin, mbrojmë pasuritë gjeopolitike të shtetit tonë që janë në veri, pra minierat, uji e të tjera”, thotë Tahiri.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, vlerëson se plani franko-gjerman, Traktati Elyse, si dhe njohja de-juro, janë elemente që mund të bëhen bazë për arritjen e një marrëveshje që mund të pranohet nga Kosova.

“Plani franko-gjerman nuk e ka njohjen reciproke direkte, në një formë mund ta ketë de-faco nuk mjafton, duhet të jetë de-juro, duhet të jetë e ligjshme, e bazuar në të drejtën ndërkombëtare sepse aty buron garancia që Serbia nuk do të cenojë tërësinë territoriale të Kosovës, as sovranitetin dhe e njeh si shtet, tash për tash shumë e qartë është bërë që Serbia nuk e dëshiron planin franko-gjerman, ky është rast shumë më i mirë i mirë i qeverisë që të forcojë lidhjet me partnerët ndërkombëtar dhe t’u thotë, ne planin franko-gjerman në këto kushte e pranojmë, e para pa njohje reciproke të drejtpërdrejt nuk e pranojmë sepse nuk sjell paqe të qëndrueshme. Pastaj çka i mungon, i mungon baza e fajësisë së Serbisë për luftën dhe gjenocidin në Kosovë, nuk e ka plani, i mungon obligimi i Serbisë i dëmshpërblimeve të luftës ndaj Kosovës”, thotë Tahiri. /KSP