Arbëri

Përgjigjja e KFOR-it për kthimin e ushtarëve në Kosovë hesht Serbinë

Descriptive Text

Serbia ende po e mban të fshehtë përmbajtjen e përgjigjes së KFOR-it ndaj kërkesës së saj për vendosjen e një mijë ushtarëve të saj në territorin e Kosovës. As KFOR-i deri më tash nuk e ka zbardhur përmbajtjen e përgjigjes. Në Kosovë pretendojnë që përgjigjja të ketë qenë negative, ndonëse institucionet vendëse kanë qëndruar të heshtura kur janë pyetur nëse e dinë përmbajtjen e saj

Kërkesës që Serbia ia bëri KFOR-it tri javë më parë për t’i sjellë një mijë trupa ushtarake në territor të Kosovës, ky mision i NATO-s i është përgjigjur të premten mbrëma, porse përmbajtja e përgjigjes ende nuk është bërë publike. Atë nuk ia ka kumtuar ende popullit të tij presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e për të nuk kanë dhënë informacione as në misionin e NATO-s në Kosovë, përkundër insistimit të KOHËS gjatë së premtes dhe së shtunës. Kërkesën që i është bërë KFOR-it, Vuçiqi pati thënë se e ka bazuar “në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe se kthimin e ushtrisë e kërkonte për mbrojtje të serbëve të Kosovës, në kohën e tensioneve pas vënies së barrikadave në veri të vendit.

Por, vetë ai ishte deklaruar se për të nuk priste përgjigje pozitive. E pikërisht për mospublikimin e saj nga shteti fqinj, ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, konsideron se më së miri flet heshtja e Beogradit zyrtar.

“Serbisë nuk i ka pëlqyer përgjigjja e KFOR-it! Përndryshe, do të ngutej ta bëjë publike”, ka thënë Tahiri.

KFOR-i, nëpërmjet një konfirmimi dhënë për KOHËN, të premten, ka pohuar se përgjigjja i është dërguar ushtrisë serbe, duke shtuar se për përmbajtjen duhet të pritet ende.

Mirëpo, edhe autoritetet kosovare kanë qëndruar të heshtura karshi kësaj situate. Për përmbajtjen e përgjigjes kanë refuzuar të flasin në Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë. KOHA ka kontaktuar me një numër zyrtarësh të saj dhe asnjëri nuk ka qenë në gjendje të ofrojë ndonjë informatë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka thënë se institucionet e Kosovës është dashur të jenë të informuara, në mënyrë që t’u tregojnë qytetarëve nëse KFOR-i ka dhënë ose jo leje për hyrjen e ushtrisë serbe.

“Unë mendoj që qytetarët e Kosovës duhet ta dinë përgjigjen e saktë të NATO-s se çfarë përgjigjeje ka dhënë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të informuara për përgjigjen. Por, për mua është dhe ka qenë shqetësuese edhe vetë kërkesa si e tillë”, ka thënë deputeti i PDK-së në opozitë.

Ai ka vazhduar me akuza se si Qeveria e Kosovës e ka sjellë vendin në këtë situatë saqë KFOR-it t’i bëhet një kërkesë e tillë nga vendi fqinj.

“Nuk ka ndodhur në historinë e pasluftës që Serbia ta bëjë një kërkesë për kthimin e 1000 ushtarëve në Kosovë. Po ndodh tash dhe arsyet sigurisht i dinë qytetarët se pse pikërisht në këtë kohë ka bërë një kërkesë të tillë. Kemi pasur ngjarje e situata shumë të rënda, si marsi i 2004-tës, por një kërkesë të tillë nuk e kishte bërë Serbia. Institucionet duhet ta pyesin edhe veten se pse Serbia e ka bërë këtë kërkesë”, ka thënë Reçica.

Në Beograd kanë theksuar se përgjigjen, pozitive apo negative, çfarëdo që e ka dhënë KFOR-i, Vuçiq do ta kumtojë pasi të kthehet nga Greqia në Serbi, ku është duke qëndruar për Krishtlindjen ortodokse.