Arbëri

Smajljaj për çnjohjet: MPJ-ja shfrytëzohet për pazare politike e koalicione

Descriptive Text

Avdi Smajljaj, ligjërues i politikave të Bashkimit Evropian në Tiranë, ka thënë se që kur është krijuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ) qëllimi kryesor ka qenë dërgimi i militantëve dhe familjarëve nëpër misione diplomatike.

Duke folur të enjten në “Interaktiv” të KTV-së për fushatën e Serbisë për çnjohje të shtetit të Kosovës, Smajljaj ka deklaruar se MPJ-ja në vazhdimësi është shfrytëzuar për pazare politike e koalicione.

“Nëse e sheh punën e MPJ-së e të komisionit parlamentar për punë të Jashtme, që kur është krijuar MPJ-ja, e sheh që qëllime kryesore kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dërgimi i militantëve e familjarëve nëpër misione diplomatike. Kjo njihet edhe si patologjike në terminologjinë e shkencave politike. MPJA-ja nuk përdoret si instrument për ta avancuar pozitën që ka Kosova në arenën ndërkombëtare mirëpo shfrytëzohet për çështje të interesave, pazareve politike koalicioneve e kështu me radhë. Kjo është vërejtur te përbërja e misioneve diplomatike. Ka qenë një lloj ndjekje shabllon e politikave të disa shteteve, nuk janë hapur përfaqësi diplomatike në shtetet që nuk është parë që kanë ndonjë lidhje”, ka thënë Smajljaj.

Sipas tij, institucionet e politikës së jashtme të Kosovës kanë pasur një lloj komoditetit duke mos krijuar strategji të qartë për njohjet.

“Ka qenë një lloj komoditeti i institucioneve tona të politikës së jashtme, sikurse ne nuk është që kërkohet që të bëjmë shumë mirëpo edhe SHBA-ja dhe aleatët tjerë kanë edhe çështje tjera në nivel global. Ne nuk e kemi përdor mbështetjen që ka qenë e madhe nga SHBA-ja qoftë në politika të brendshme apo të jashtme”, është shprehur ai.


Smajljaj: Marrëveshja me Serbinë do t’i hapte rrugë njohjeve të reja

Avdi Smajljaj, ligjërues i politikave të Bashkimit Evropian, ka deklaruar se nënshkrimi i marrëveshjes finales mes Kosovës dhe Serbisë, do t’i mundësonte Kosovës që të fitonte njohje të reja nga shtetet mosnjohëse.

Ai u shpreh në Interaktiv të KTV-së se plani franko-gjerman do t’i hapte rrugë të re Kosovës në planin ndërkombëtar, ndërsa shtoi se marrëveshja finale do të ishte hap pozitiv drejt anëtarësimeve në organizata të huaja.

“Plani franko-gjerman mund të lëvizë vetëm me një marrëveshje përfundimtare. Nëse flitet për anëtarësim të Kosovës në BE dhe NATO, është e kuptueshme edhe është e domosdoshme që këto shtete (anëtare të BE-së v.j.) të na njohin. Njohjet janë të nënkuptueshme e kjo s’ka arsye që shtetet e BE-së të hezitojnë, nëse arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Njohja do të mbyllte çdo dilemë. Kosova duhet të bëhet shtet normal si të gjitha shtetet e tjera në botë”, ka deklaruar Smajljaj.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë çmos që Kosova të ketë njohje, por që siç tha ai, as këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme në disa raste. Forca dhe ndikimi i Serbisë, për Smajljajn, janë faktori kyç i çnjohjeve që ende s’janë konfirmuar zyrtarisht.

“SHBA-ja ka bërë të pamundurën edhe në krijimin e shtetit dhe rritjen e numrit të njohjeve. Ka mjaftuar që të njohë një shtet si SHBA-ja e kjo është reflektuar edhe te shtetet tjera për ta njohur Kosovën. Ka pasur përpjekje por s’kanë qenë të mjaftueshme, marrë për bazë se kemi një konkurrent të fuqishëm. Është rritur numri i investimeve në Serbi, që përkthehen në diplomaci”, ka thënë ai.

Ligjëruesi i politikave të BE-së ka shtuar se institucionet e Kosovës është dashur të krijojnë strategji për t’i menaxhuar raportet me shtetet që e kanë njohur Kosovën, por edhe me ato që s’e kanë njohur.

“Një strategji është e domosdoshme, Kosova duhet t’i sigurojë njohjet. Të mos sillet si një shtet i largët që s’ka interes...E kemi pasur sjelljen që s’kemi nevojë të merremi me shtetet që na kanë njohur apo jo. Jemi sjellë sikur të ishte interes i tyre, jo i yni”, ka vazhduar Smajljaj.

Për Shqipërinë, Smajljaj ka deklaruar se ka shfaqur një raport më ndryshe ndaj Kosovës në çështjen e diplomacisë.

“Qasja e Shqipërisë sikur në sjelljen e saj, s’ka dashur të lë përshtypje se është njëfarë mënyre ai avokati kryesor i Kosovës. E ka ndjekur politiken e shteteve të mëdha. Ku i është krijuar mundësia, e ka mbështetur Kosovën. Ka bërë thirrje për shtetet që s’e ka njohur Kosovën. Edhe Shqipëria i ka kapacitetet e limituara për shkak të problemeve të brendshme”, ka thënë ai.