Arbëri

Pacientët me kancer pa citostatikë, e në suficit shkuan rreth 1.3 milionë euro të barnave

Gjatë tërë vitit të shkuar spitalet publike janë përballur me mungesa të mëdha barnash, përfshirë ato për trajtimin e pacientëve me kancer. Ka ndodhur kështu, ani se SHSKUK-ja ka pasur para në arkë.

KOHA ka mësuar që vetëm për barna të Listës Esenciale, SHSKUK-së i kanë shkuar në suficit rreth 800 mijë euro. E, paratë që shkojnë në suficit, i kthehen buxhetit publik dhe më nuk mund të përdoren nga institucioni që nuk i ka shfrytëzuar.

Prej gjashtë ditësh SHSKUK-ja nuk i ka kthyer përgjigje KOHËS përkitazi me këtë situatë.

Një dokument i Klinikës së Onkologjisë që mban datën 30 nëntor tregon se ajo ka porositur disa lloje citostatkësh – barna për kancer për muajin dhjetor, por që kërkesa nuk është proceduar siç është kërkuar.

“Sikurse veç jeni të njoftuar në lidhje me mungesat aktuale të barnave citostatike në Klinikës e Onkologjisë dhe korrespodencat në vijim nga ana jonë, pas kërkesës që na është parashtruar për përcaktimin e sasive përkatëse të këtyre barnave për mbulimin e nevojave të pacientëve deri në fillimin e muajit të parë të vitit të ardhshëm. Në vijim gjeni të listuara barnat e lartcekura dhe sasitë e përafërta që nevojiten për këtë periudhë”, thuhet në dokumentin.

Në këtë listë është një lloj bari i kancerit me emër Nivolumab. Ai është nga me të shtrenjtit që kontraktohet nga SHSKUK-ja. Sipas dokumenteve publike, ai kontraktohet në dy lloj dyzimesh. Çmimi i produktit me dozë me të vogël që e blen SHSKUK-ja është 450 euro e ai me dozë me të madhe rreth 1100 euro.

Image

Këto barna nuk janë në SHSKUK qysh para një muaj. KOHA e ka pyetur për arsyet e mungesës, por ka munguar përgjigjja.

Përveç barnave të Listës Esenciale, SHSKUK-ja ka një linjë edhe për barna të tjera. As për to nuk e ka shfrytëzuar gjithë buxhetin, duke i kthyer mbrapshtë 500 mijë euro.

Burimet e KOHËS treguan se SHSKUK-ja ka dështuar ta shfrytëzojë edhe një pjesë të madhe të buxhetit të paraparë për blerjen e aparaturave të reja. Nga rreth 3 milionë euro të planifikuara, nuk janë rreth 2 milionë euro.

Krahas SHSKUK-së, edhe Ministrisë së Shëndetësisë i ka tepruar një pjesë e buxhetit për barna. Në këtë institucion treguan se rreth 800 mijë euro që ishin të dedikuara për tenderin e insulinave, kanë shkuar në suficit.

Kontrata për insulina nuk është nënshkruar për shkak të betejës së Ministrisë me Organin Shqyrtues të Prokurimit, në lidhje me përmbushjen e kriterit që lidhet me certifikatën e cilësisë së barnave.