Arbëri

Më 2022 dënimet e para, 2023-a viti i gjykimit të madh

Gjykata Speciale - Salih Mustafa - Hashim Thaçi - Kadri Veseli - Jakup Krasniqi - Rexhep Selimi

Dënimi i ish-komandantit të Njësisë BIA të UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim shënoi një kapitull të ri të gjykimit të krimeve të luftës. Përderisa kriminelet serbë janë dënuar më dënime të buta për krimet e kryera në Kosovë, Mustafa u dënua me 26 vjet burgim për mbajtjen e maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë me vonë nga ushtria serbe. 2023-a do të jetë vit kur do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Ata ngarkohen për vrasjen e 100 personave. Një volum aq i madh i shkresave dhe dokumenteve që përmban kjo lëndë, nuk ka gjasa që të arrijë të trajtohet brenda vitit

 Rezultatet e para konkrete të Gjykatës Speciale, themelimi i së cilës u votua në Kuvendin e Kosovës para më shumë së 7 vjetësh, u panë më 16 dhjetor të vitit 2022.

Ish-komandanti i njësisë BIA të UÇK-së, Salih Mustafa, u dënua nga shkalla e parë me 26 vjet burgim për veprat penale që lidhën me krimet e luftës.

Mustafa është i pari kosovar i dënuar për krime lufte nga kjo gjykatë, por para tij janë dënuar edhe dy krerët e Organizatave të Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati. Ata janë dënuar nga shkalla e parë për rrjedhje të dokumenteve nga rastet që po hetoheshin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Viti 2023 do të nisë me gjykimin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. E fundi i gjykimit është i pamundur të vijë para të paktën 2 vjetësh.

Specialja “selektive”

Në shtatorin e vitit 2020 ishin të shpeshta konferencat e OVL-UÇK-së. Dy krerët e saj, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj ftonin mediat për t’u treguar që një person anonim po u sillte dokumente të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. E përshkruanin si rrufe, që vetëm lë pakot dhe zhduket.

Dokumentet ishin të ndjeshme. Përmbanin emrat e viktimave e të dëshmitarëve që dyshohet se janë pjesë e dosjeve të hetimit kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Zyrat e OVL të UÇK-së janë në qendër të Prishtinës. Kjo pjesë është e mbuluar me kamera. Por askush kurrë nuk dha përgjigje se kush ishte personi që i dërgoi ato dokumente, si i mori ai dhe cili ishte qëllimi që ato të dërgohen në zyrat e veteranëve.

Të vetmit që i preku në aspektin penal kjo rrjedhje e dokumenteve ishin Gucati e Haradinaj. Ata u arrestuan në fundin e shtatorit të vitit 2020 nën akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Rreth 2 vjet me vonë, Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, i shpalli fajtorë dhe i dënoi ata me nga 4 vjet e gjysmë burgim.

Vendimi është apeluar. Në vitin 2023 do të konfirmohet ose jo përgjegjësia e tyre penale. Në rast se Apeli i shpall fajtorë, ata nuk do të qëndrojnë edhe gjatë në burg, pasi që një pjesë të madhe të kohës së dënimit e kanë kaluar gjatë qëndrimit në paraburgim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ishte superefikase në ndjekjen e Haradinajt e Gucatit.

Por u tregua plotësisht e ngathët në hetimin e zyrtarëve të saj që dështuan të ruanin dokumentet, të cilat nuk do të duhej kurrë të rrjedhin në publik. Përgjegjësia për ruajtje ishte e tyre.

Ish-kryeprokurori Jack Smath në seancën e parë tha që po hetoheshin edhe personat nga institucioni që e udhëhiqte dhe se ata persona do t’i nxjerrin si të akuzuar para së njëjtës gjykatë.

Këtë premtim nuk e mbajti Specialja as në vitin 2022. Smith dha dorëheqje nga kjo pozitë për t’u bërë prokuror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të hetojë ish-presidentin Donald Trump.

Sinjale që ky hetim do të bëhet e do të kuptohet se kush cenoi sigurinë e dëshmitarëve dukje rrjedhur dokumente, me shumë mundësi nuk do të ketë epilog as në vitin 2023. Ky institucion nuk dha asnjë sinjal se ka së paku edhe një të dyshuar.

Image
Viti 2023 do të nisë me gjykimin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. E fundi i gjykimit është i pamundur të vijë para të paktën 2 vjetësh

Dënimi i Mustafës, paralajmërim për gjykimin e madh

Dënimi i Salih Mustafës është sinjal për dënime të ashpra të kësaj gjykate.

Mustafa është dënuar për një viktimë që ka vdekur, por që nuk thuhet me saktësi që është vrarë nga UÇK-ja. Siç nuk ndodh zakonisht, trupi gjykues ka thënë që viktima edhe nëse është vrarë nga ushtria serbe, përgjegjësi për vdekjen e tij e mban Mustafa, i cili sipas pretendimeve, e ka maltretuar viktimën në masën që ai të mos mund të ikte nga ushtria serbe dhe si pasojë e ka vrarë.

Ai është dënuar edhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në maltretimin e dy viktimave. Për katër të tjerë, gjykata pretendon që ai ishte në dijeni, por që nuk mori asnjë hap për t’i liruar.

Dënimi i Mustafës u krahasua me dënimet e shumë kriminelëve serbë. Ata u gjykuan në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Asnjëri nga ta nuk është dënuar me 26 vjet burgim.

Juristi dhe njëri prej hartuesve kryesorë të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka krahasuar dënimet ndër vite që u janë dhënë serbëve, të cilët janë shpallur fajtorë për krime lufte në Kosovë.

Ai ka renditur dënimet e pesë kriminelëve serbë të luftës të shpallur fajtorë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2009.

“Nikolla Shainoviq me një dënim të vetëm me 22 vjet burgim; Dragolub Ojdaniq me një dënim të vetëm me 15 vjet burgim; Nebojsha Pavkoviq me 22 vjet burgim; Vladimir Llazareviq me 15 vjet burgim; dhe Sreten Llukiq me 22 vjet burgim”, ks shkruar Bajrami.

Mustafa do ta ankimojë vendimin në shkallën e dytë të Gjykatës. Bazuar në procedurat standarde, për këtë rast, vendim përfundimtar nuk do të ketë në vitin 2023.

Në vitin 2023 do të fillojnë seancat gjyqësore për rastin që do të marrë shumë vëmendje publike.

Pas gati 2 vjet e gjysmë janë në paraburgim ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët në janarin e vitit 2023 do të fillojnë të gjykohen në mënyrë të mirëfilltë. Për gati 2 vjet janë mbajtur vetëm seanca paragjyqësore.

Ky proces gjyqësor do të jetë më i gjati në historinë e kësaj gjykate, për shkak të volumit të rastit. Katërshja e akuzuar ngarkohet me vrasjen e 100 personave e do të jenë qindra dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar që do të ftohën për të dhënë deklarata kundër tyre. Të shumtë do të jenë edhe dëshmitarët që do t’i ftojnë krerët e UÇK-së. Paralajmërimi i mbrojtjes është që do të ftohen edhe ndërkombëtarë që në kohë të luftës kishin pozita të rëndësishme.

Për pjesën e madhe të vrasjeve, të akuzuarit nuk implikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, por si pjesë e zinxhirit komandues.

Përkundër kësaj, gjyqtarë e prokurorë dhe institucione ndërkombëtare konsiderojnë se këto gjykime nuk janë për UÇK-në. Kjo pavarësisht se gjykohen edhe katër nga personat kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Viti 2023 do të përfundojë pa dhënë dëshminë as gjysma e dëshmitarëve. E ritëm të njëjtë në lëndë do të ketë edhe në vitet në vijim

Një tjetër i akuzuar që nuk ka shumë vëmendje mediale është Pjetër Shala, i njohur me nofkën Ujku. Ai akuzohet për krime lufte në zonën e Dukagjinit. Gjykimi ndaj tij do të fillojë në vitin 2023, e sipas procedurave me shumë mundësi do të përfundojë në shkallë të parë brenda po këtij viti.

Për dallim nga gjykatat në Kosovë që kanë shqiptuar fare pak dënime për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, Prokuroria Speciale ka qenë shumë me aktive me arrestime e aktakuza, por që viti 2023 do të dëshmojë nëse këto lëndë do të mbyllen me dënime.