Arbëri

Kroacia në Schengen: 1134 kilometra rrugëtim pa kufi

Me hyrjen e Kroacisë në Zonën e Schengenit lehtësohet udhëtimi edhe për shqiptarët e diasporës. Po ashtu nga 1 janari 2023 në Kroaci paguhet me euro. Me këto dy të arritura historike Kroacia, prej vitesh anëtare e BE-së dhe NATO-s, e ka përmbyllur rrugën e gjatë të integrimeve euro-atlantike.

Rruga nga Zürichu deri në Batrovci është 1134 kilometra e gjatë. Batrovci është një fshat në kufirin kroato-serb, aty gjendet pika më e rëndësishme kufitare mes dy vendeve. Kroacia është anëtare e Bashkimit Europian që nga 1 korriku i vitit 2013. Me ndërrimin e moteve, nga 1 janari 2023, Kroacia ka bërë edhe një hap tjetër të madh sa i përket integrimeve europiane: edhe zyrtarisht ky vend është pjesë e Zonës së Schengenit. Kjo domethënë: nuk ka më kontrolle kufitare në rrugët tokësore dhe detare. Nga marsi do të hiqen edhe kontrollet kufitare në aeroporte për fluturime brenda Zonës së Schengenit.

Me hyrjen e Kroacisë në Zonën e Schengenit lehtësohet udhëtimi edhe për shqiptarët e diasporës. Për një shqiptar që niset me veturë për në Kosovë nga Zürichu, pikëkalimi i parë kufitar ku duhet të tregojë pasaportën është në Batrovci. 1134 kilometra pa asnjë pengesë kufitare. Në orën 00:00 të Vitit të Ri ministra të qeverisë kroate në mënyrë simbolike kanë hequr traun në pikat kufitare ndaj Sllovenisë dhe Hungarisë. Pasagjerët që vijnë me anije nga portet italiane në portet kroate po ashtu mund të hyjnë lirisht në Kroaci, pa iu nënshtruar procedurave të kontrollit kufitar të cilat marrin kohë.

Ata që nuk duan të kalojnë nëpër Serbi, mund të udhëtojnë përmes autostradës së Adriatikut e cila tani ka një risi: Dubrovniku arrihet më lehtë dhe duke shmangur Bosnjën kalohet nëpër urën impozante të siujdhesës së Peleshacit. Kontrolli i parë i pasaportave për ata që zgjedhin këtë rrugë është në Debeli Brijeg në kufi me Malin e Zi.

Kroacia është vendi i 27-të anëtar i Zonës së Schengenit. Dy shtete të tjera, Rumania dhe Bullgaria, ndonëse i kanë plotësuar kriteret për hyrje në Schengen, megjithatë anëtarësimi i tyre është bllokuar nga Austria. Tani e tutje Kroacia është përgjegjëse për kufirin e Zonës së Schengenit në gjatësi prej 1350 kilometra ndaj Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Heqja e kontrolleve kufitare lehtëson hyrjen e turistëve në Kroaci. Pritjet e gjata në kufirin mes Sllovenisë e Kroacisë tani do t’i takojnë të kaluarës. Disa organizata joqeveritare kanë akuzuar BE-së se me pranimin e Kroacisë në Zonën e Schengenit nuk i ka respektuar vlerat themelore të BE-së. Autoritetet kroate janë akuzuar se i kanë keqtrajtuar refugjatët që kanë tentuar të hyjnë nga Bosnja në Kroaci. Sllovenia po ashtu ka paralajmëruar se nëse ashpërsohet situata me valën e refugjatëve, do të rivendosë kontrollet kufitare, ngjashëm siç pati bërë Austria para disa viteve ndaj Sllovenisë.

Nga 1 janari 2023 Kroacia shënon edhe një arritje tjetër: në këtë vend tani e tutje do të paguhet me euro, me valutën e përbashkët të BE-së, e cila përtej eurozonës vlen edhe në Mal të Zi dhe në Kosovë. Valuta kroate kuna i takon tashmë të kaluarës. Shkëmbimi aktual është 7,53 kuna për një euro. Meqë inflacioni në Kroaci në nëntori arriti në 13,5 për qind, shumë qytetare e qytetarë kroatë frikësohen se me valutën e re euro shumë çmime do të rriten. Siç shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” para një viti askush nuk ka guxuar ta marrë me mend se euron mund ta aplikojë si valutë një shtet me 13 për qind inflacion. Agresioni rus kundër Ukrainës ka ndryshuar shumë gjëra. Me rastin e pranimit të Kroacisë në eurozonë dhe në Zonën e Schengenit BE ka mbyllur së paku njërin sy. Për të shënuar ditën historike të hyrjes së Kroacisë në eurozonë për vizitë në Zagreb ka qëndruar kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.