Arbëri

Krasniqi: Plani franko-gjerman ka në qendër krijimin e Asociacionit

Propozimin e Bashkimit Evropian, i njohur si ai franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po vlerëson që nuk i përmbush objektivat shtetërore të Kosovës.

Krasniqi ka thënë se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë marrëveshje e cila nuk ka njohje të ndërsjellë brenda saj, pasi sipas tij, çdo marrëveshje tjetër nuk do t’i sillte paqe të dy vendeve.

Ai shtoi se si parti i kanë propozuar Kuvendit dhe Qeverisë pesë shtyllat që duhet t’i ketë marrëveshja finale.

“Çfarëdo marrëveshje e cila nuk e parasheh dhe nuk e arrin njohjen e ndërsjellë është marrëveshje që nuk e përfundon konfliktin mesë Kosovës dhe Serbisë dhe është marrëveshje e cila, siç thotë populli nuk kryen punë. Unë i kam propozuar pesë shtyllat që duhet t’i ketë marrëveshja. E para ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës, pra edhe Asociacioni nëse krijohet të jetë pikërisht siç e ka paraparë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Dy - që të kemi garanci për njohje nga pesë shtete anëtare të BE-së që nuk na njohin. Tre - fillimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Katër - marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe pesë - njohja e ndërsjellë”, tha ai për EO.

Krasniqi, po ashtu tha se te marrëveshja finale do të përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pavarësisht që dokumenti franko-gjerman si propozim është dokument që më shumë bazohet në vlera, nuk flet në mënyrë konkrete për afate dhe për veprime që duhet t’i ndërmarrin dy palët dhe rrjedhimisht as emri asociacion nuk figuron aty, e vërteta është që në versionin e parë ky dokument e ka transformuar qasjen nga marrëveshje me njohje në qendër në marrëveshje me Asociacion në qendër, kështu që po unë besoj që marrëveshja si e tillë e përfshin krijimin e Asociacionit gjithsesi”, tha ai.

Krasniqi foli edhe për aplikimin e Kosovës për statusin kandidatë për në BE. Ai sqaroi se pavarësisht që rruga e Kosovës që nga themelimi i saj ka qenë drejt integrimeve evropiane, kjo nuk ka qenë koha e duhur për aplikim.

Kjo pasi sipas tij, është bërë më shumë si një spektakël momental dhe se ky aplikim nuk i sjellë asnjë favor Kosovës.

“Frika ime nga mënyra se si është bërë ky aplikim në momentin të cilin është bërë, është bërë më shumë si një spektakël momental sepse ne duhet të jemi të qartë se cilët janë hapat që do të pasojnë, cilat ishin deklarimet që i dëgjuam më pas. Kosova është e barabartë në këtë proces krahasuar me shtetet e tjera të rajonit, për faktin që ne nuk na njohin pesë shtete anëtare të BE-së, andaj aplikimi vetëm sa për të aplikuar dhe për të thënë unë e kam dorëzuar dokumentacionin, nuk i sjell as një favor Kosovës, është pak a shumë ngjashëm sikur në aplikimin në Këshillin e Evropës ku ishte një aplikim pa kurrfarë koordinimi paraprak me partneret ndërkombëtarë dhe kjo nuk na ndihmon sepse në fund të fundit objektivat duhet të kenë sukses”, tha Krasniqi.