Arbëri

Begaj uron Vitin e Ri: Situata e patolerueshme në veri të Kosovës duhet të marrë fund

Descriptive Text

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar shëndet e mbarësi për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Luginën e Preshevës, për arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë.

Ai u shpreh se ka bërë dhe do të bëjë detyrën, që zëri i çdo qytetari të Shqipërisë të dëgjohet.

Presidenti ka bërë thirrje që shqiptarët e rajonit të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti dhe sigurie në hapësirën ku jetojmë.

“Situata e rëndë dhe e patolerueshme e krijuar në veri të Kosovës duhet të marrë fund. Provokimet dhe gjuha e kërcënimeve nuk janë gjuha me të cilën mund të flitet, vetëm dialogu dhe respektimi i integritetit të Republikës së Kosovës janë rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve. Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, për anëtarësimin, sa më të shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Begaj në urimin e tij.

Presidenti falënderoi në urimin e tij të Vitit të Ri të gjithë shqiptarët që punojnë për ta bërë këtë vend më të mirë, për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre./Euronews