Arbëri

PDK-ja e LDK-ja e çojnë në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndaras, të premten e kanë atakuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë. Përfaqësues të të dyja partive opozitare vlerësuan se Ligji ka një varg shkeljesh kushtetuese dhe se synim ka nënshtrimin e administratës publike ndaj pushtetit.

Një javë pas miratimit, Ligji për Zyrtarët Publikë ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

Kontestimin e tij në këtë instancë të shtetit e bënë dy partitë opozitare, PDK e LDK, por jo bashkërisht.

Kërkesën për interpretimin e kushtetutshmërisë së këtij Ligji, së pari e çoi në Gjykatë PDK-ja, e cila ka kontestuar katër nene: 9, 12, 46 dhe 99.

“Me Ligjin për zyrtarët Publikë po legjitimohet politizimi i administratës publike dhe në njëfarë forme po nënshtrohen dhe degradohen shërbyesit civilë dhe në këtë formë po bëhet vasal i pushtetit. Prandaj ne kemi konsideruar që në këto nene specifike të prezantojmë qëndrimet tona të PDK-së dhe t’i kundërshtojmë me anë të kërkesës për kushtetutshmëri”, ka thënë deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku.

Përmbajtja e Ligjit pati marrë kritika edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Zyrtarë të PDK-së thatë se ato do të duhej të merreshin parasysh.

“Është e papranueshme dhe e pakuptimtë që në njërën anë Qeveria të aplikojë për anëtarësim në BE, ndërsa në anën tjetër të mos marrë parasysh asnjë nga kërkesat që i ka dërguar Zyra e BE-së”, është shprehur Përparim Gruda, koordinator për drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së.

Pak orë pas PDK-së, Gjykatës iu drejtuan edhe deputetë të LDK-së. Ata e kontestuan Ligjin në tërësinë e tij.

“Ne si GP dhe si LDK vlerësojmë se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës në kundërshtim me marrëveshjen ndërkombëtarë të ratifikuar nga Kuvendi që është MSA që është ligj për Kosovën dhe po ashtu është në kundërshtim me ligjet e tjera dhe shkakton kolizion mes ligjeve.. Ne vlerësojmë se ky ligj dhe vendimi që do të merret për këtë ligj nga Gjykata Kushtetuese do të jetë që ky ligj është antikushtetues”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Kundërshti më të mëdha në përmbajtjen e ligjit kanë nxitur dispozitat që parashohin mandate katërvjeçare për nëpunësit e nivelit të ulët dhe të mesëm të administratës; ato që obligojnë drejtuesit me kontrata të përhershme t’i nënshtrohen një konkursi të hapur për t’i ruajtur pozitat e tyre; e edhe nenet që për disa pozita kërkojnë nga kandidatët të përmbushin kriterin e qëndrueshmërisë dhe përshtatshmërisë.