Arbëri

Zhbllokohet veriu

Bllokada – veri – Kosova

Rrugët e barrikaduara tash e 20 ditë filluan të lirohen për qarkullim pasditen e së enjtes. Për të vënë në funksion kamionët e autobusët bllokues të rrugës në Rudar u kujdesen persona të maskuar. E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e fundvitit me gazetarë ka thënë se ata që vetë i vendosën barrikadat, po ata janë duke i hequr. E përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka reaguar duke thënë se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Të maskuar dy persona u shfaqën te enjten në barrikadën në fshatin Rudar. Rregullimi i mjeteve të rënda që kanë bllokuar rrugën drejt Jarinjës ishte detyra e tyre.

Me t'i vënë në funksion, nisën edhe t'i largonin një nga një.

Në ndihmë për t'i larguar kamionët e autobusët e mbetur u dolën edhe të tjerë.

Përveç në Rudar, barrikadat u larguan edhe në vendet e tjera, ku janë vendosur që nga 10 dhjetori.

Largimi i tyre është bërë disa orë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takoi përfaqësuesit politikë serbë në Kosovë.

Por, jo të gjitha barrikadat patën fatin e njëjtë. Dy kamionët e vendosur për të bllokuar qarkullimin mbi urë te vendi i njohur si “Kërshi i Sudës” janë djegur mbrëmjen e së mërkurës. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar, derisa nga Policia e Kosovë ka bërë të ditur se ka nisur me hetimin e rastit

Kamioni, donacion i BE-së që ishte në krye të barrikadave, ishte ndër të fundit që u largua.

Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar duke thënë se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Mirë se vini në lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Ai ka shtuar se tani nevojitet përparim urgjent në dialog.

Franca ka përshëndetur njoftimin për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës. Meritat për këtë ia ka dhënë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“U bëjmë thirrje autoriteteve serbe dhe kosovare që të vazhdojnë të punojnë me konstruktivitet për të ulur tensionet në terren dhe për të vazhduar drejt një marrëveshjeje për normalizim raportesh përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Francës të enjten pasdite.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se falë ShBA-së dhe BE-së, edhe njëherë u gjet zgjidhja për moseskalimin e situatës në veri.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e fundvitit me gazetarë ka thënë se ata që vetë i vendosën barrikadat, po ata janë duke i hequr.

Pas 20 ditësh bllokim rruga që të shpie drejt pikës kufitare në Jarinjë është hapur për qarkullim. Largimi i bllokadave është bërë pas ndryshimit te masës nga e paraburgimit në arrest shtëpiak për ish-zyrtarin policor Dejan Pantiq.