Arbëri

Kërkohet dënim maksimal për vrasësin e Zejnepe Berishës

Descriptive Text

Rrjeti i Grave të Kosovës ka mbajtur protestë para Pallatit të Drejtësisë duke kërkuar dënimin maksimal për Nebih Berishën, vrasësin e Zejnepe Berishës.

Nëna e së ndjerës Zejnepe Berishës, Sala Bytyqi tha se kërkon dyfishim të dënimit për autorin e vrasjes.

"Pak është, ia kisha dyfishu dënimin", tha nëna e së ndjerës.

Avokatja e familjes së Zejnepes, Fehmie Gashi-Bytyqi tha se gjatë seancës së sotme gjyqësore ka kërkuar ndryshimin e dënimit sepse është dënim tejet i ulët.

“Gjykata e Prizrenit ka vendosur dënim prej 12 vjet e 6 muaj dhe nga gjykata presim rritje ta dënimin sepse të dënuarit i është dhënë dënimi minimal”, tha Gashi-Bytyqi.

Ndërsa, kryetarja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova tha se kur ka ndodhur dhënia e dënimit për Nebih Berishën e gjithë Kosova është shokuar dhe se Rrjeti i Grave nuk e lejon kjo të kalojë pa u protestuar dhe se me këtë dënim minimal është përkrahur krimi dhe duhet t’i epet dënim më i madh, transmeton kp.

"Ne do të ngrehim zërin për këto raste, prandaj kemi kërkuar të jemi pjesë e proceseve për drejtësi dhe prandaj kemi angazhuar edhe avokaten, Fehmie Bytyqi", tha Rugova.

Gjykata e Apelit sot ka mbajtur seancën e parë në lidhje me ankesat e palës së dëmtuar në lidhje me dënimin që iu dha Nebih Berishës për vrasjen e gruas së tij.

Nebih Berisha akuzohet se në mbrëmjen e 23 tetorit 2015 në shtëpinë e tij duke përdorur një thikë e privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berisha dhe i shkaktoi lëndime trupore vajzës së tij.