Arbëri

Zëvendësministri i MAPL-së jep dorëheqje si asamblist në Komunën e Prishtinës

Arbër Vokrri ka dhënë dorëheqje nga posti i asamblistit në Komunën e Prishtinës për të mbajtur atë të zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ai ka marrë vendimin pasi KOHA i kërkoi koment për vlerësimin e antikorrupsionit, se mbajtja e dy pozitave, sipas Ligjit për Qeverinë, është e kundërligjshme

Arbër Vokrri, i cili nga tetori i këtij viti mbante dy pozita, të zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të asamblistit në Komunën e Prishtinës, ka hequr dorë prej pozitës në të cilën është zgjedhur me vota.

Pasi iu kërkua koment nga KOHA mbi përgjigjen e antikorrupsionit, që vlerësoi se ushtrimi i këtyre dy pozitave është i kundërligjshëm, Vokrri ka thënë se është konsultuar përsëri me antikorrupsionin dhe ka vendosur të dorëhiqet nga pozita e asamblistit.

“Me gjithë faktin se kam qenë koleg asamblist me disa ministra nga partitë e tjera, të cilët njëkohësisht e kanë mbajtur edhe pozitën e asamblistit, unë nga dita e emërimit tim në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, në mënyrë të përsëritur e kam hulumtuar këtë çështje për hir të staturës sime politike dhe rregullisht marr përgjigje edhe nga ekspertët se sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale parimisht nuk ka problem ligjor me angazhimin në të dy detyrat. Sot kërkova sërish sqarim nga Agjencia për Parandalim të Korrupsionit dhe zyrtarët aty më informuan se sapo e kanë shqyrtuar ligjin e ri, i cili ka hyrë në fuqi tash, pra në këtë muaj (dhjetor 2022), e sipas të cilit kufizohet mundësia e ushtrimit të përgjegjësive në vetëm njërin prej dy niveleve të qeverisjes: ose në atë qendrore, ose në qeverisjen lokale, por jo në të dyja”, ka thënë Vokrri.

Lajmin e dorëheqjes asamblistëve ua kumtoi në fund të mbledhjes së Kuvendit Komunal të mërkurën.

Antikorrupsioni në një përgjigje për KOHËN ka thënë se ushtrimi i të dyja pozitave nuk ka ndalesë konkrete në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, por është në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.

“Sido që të jetë, ky rast dhe rastet e ngjashme si kjo, zgjedhjen e vet e gjejnë jo te LPKI, por te Ligji nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi ne fillim të dhjetorit 2022, konkretisht te paragrafët 2.2* dhe 2.3** të nenit 26 në lidhje me papajtueshmërinë me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimi i konfliktit të interesit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës asamblistët shpesh i janë drejtuar Vokrrit me zëvendësministër e kohë pas kohe e thumbonin për ushtrimin e dy pozitave.

“E di që s’e keni lehtë edhe këtu, edhe atje zëvendësministër”, i ka thënë Vokrrit, drejtoresha për pronë në Komunën e Prishtinës, Doruntinë Maloku.

Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar asamblistin Arbër Vokrri zv.ministër më 1 tetor të këtij viti, ndërkaq Ligji për Qeverinë ka hyrë në fuqi më 3 dhjetor.