Arbëri

Peci: Në Prokurori dërguam 400 lëndë që kanë të bëjnë me grantet

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, bëri të ditur se janë dërguar 400 lëndë në Prokurori, e që kanë të bëjnë me grantet. Kjo dhe ruajtja e pronave të Ministrisë, sipas tij, përbëjnë disa nga të arriturat gjatë vitit që po përmbyllet.

Denoncimi dhe demaskimi i keqpërdoruesve të pronave të Ministrisë së Bujqësisë është prej arritjeve kryesore të vitit që ministri Faton Peci ia ka njohur vetes. Në një konferencë shtypi, ai bëri të ditur se janë dërguar 400 lëndë në Prokurori, e që kanë të bëjnë me grantet.

Ai tha se kujdes u është kushtuar edhe pronave të Ministrisë.

“Denoncimi dhe demaskimi i keqpërdoruesve të pronave ka marrë drejtimin e duhur të pronave të Ministrisë së Bujqësisë, si dhe të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës..”, ka thënë Peci.

Peci tha se është ndalur keqpërdorimi me grantet e subvencionet dhe se për të qenë përfitues i tyre nuk është e nevojshme asnjë lidhje farefisnore ose përkatësi partiake.

“Në kategorinë e subvencioneve kemi përkrahur 28 mijë e 222 fermerë, të cilët përfituan 61.8 milionë euro dhe për herë të parë brenda vitit kalendarik dhe fiskal janë ekzekutuar të gjitha pagesat për subvencione”, ka thënë ai.

Peci listoi edhe një numër sfidash, adresimi i të cilave tha se do të bëhet gjatë vitit të ardhshëm.