Arbëri

Gërvalla thotë se vendimi për Pantiqin tregon pse vettingu është i domosdoshëm

Donika Gërvalla - MPJ

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka quajtur goditje të madhe për kredibilitetin e prokurorisë dhe gjykatave në Kosovë, vendimin që ish-polici serb, Dejan Pantiq, nga paraburgimi të dërgohet në arrest shtëpiak. Ajo ka thënë se ky vendim tregon pse procesi i vettingut në drejtësi është i domosdoshëm.

“Vendimi i sotëm për dërgimin në arrest shtëpiak të personit të dyshuar për terrorizëm shënon një goditje të rëndë për kredibilitetin edhe ashtu shumë të dëmtuar të prokurorisë dhe gjykatave në Kosovë. Prandaj vetingu është kaq i domosdoshëm. Të gjithë ata, brenda dhe jashtë vendit, të cilët përpiqen të na bindin se është i panevojshëm, sot kanë marrë përgjigjen përfundimtare. Drejtësi dhe barazi para ligjit, ky është shteti ligjor”, ka shkruar ajo në Facebook.

Të mërkurën, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për ndërrimin e masës ndaj Pantiqit nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Pantiqi qe arrestuar më 9 dhjetor nën dyshimin për sulm ndaj Policisë dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri.