Arbëri

Kurti: Shteti nuk bisedon me kriminelë, por do t’i arrestojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti që ai udhëheq nuk do të bisedojë e bashkëpunojë me siç i ka quajtur ai, kriminelët që kanë vendosur barrikadat në veri, por do t’i arrestojë ata.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se këta kriminelë, që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës u janë kundërvënë kriminelët duke e sfiduar organet e zbatimit të ligjit dhe duke cenuar sigurinë. Fatkeqësisht këta kriminelë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania po mbështeten nga presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit përveç se cenimin e integritetit territorial të Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata”, ka thënë kreu i ekzekutivit.

Për vendosjen e barrikadave, Kurti ka theksuar se ky veprim është i paligjshëm, i papranueshëm dhe i cili nuk do të tolerohet. Theksoi se i kanë dhënë KFOR-it kohë dhe hapësirë të nevojshme për të vepruar, porse "kjo kohë po shteron". 

“Nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikada që e pengojnë lëvizjen e lirë”, ka thënë Kurti.

Veriu i Kosovës ka ngelur i bllokuar nga 9 dhjetori, kur serbët për ta kundërshtuar arrestimin e ish-policin Dejan Pantiq, vendosen mbi 13 barrikada në lokacione të ndryshme në veri. Pantiqi po dyshohet se organizoi sulmet ndaj komisioneve komunale zgjedhore. Barrikadë e re u vendos të martën në mbrëmje dy kilometra larg pikës kufitare Merdar nga pjesa e Serbisë.

Gjatë ditës së hënë, Bashkimi Evropian (BE) dhe KFOR-i kanë kërkuar që të hiqen barrikadat në veri.