Arbëri

Duraku: Vitia t’i shkarkojë të gjithë ata me pozita udhëheqëse që s’morën llogari për ngjarjet e fundit

Profesionisti shëndetësor, Enlirat Duraku, ka thënë se emri i ministrit të emëruar të Shëndetësisë nuk ka pasur rëndësi sa emërimi, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën është aktualisht sistemi shëndetësor në Kosovë.

I ftuar të martën në emisionin “Interaktiv” në KTV, Duraku ka thënë se ardhja e Arben Vitisë në krye të kësaj ministrie, ka përparësitë e saj.

“Për mua nuk ka qenë surprizë që është emëruar, as nuk dua të spekulojë as të komentojë në raport me politikën, konsideroj që emri nuk ka pasur aq rëndësi sa emërimi i ministrit pasi jemi dëshmitar të asaj se çfarë gjendje është sistemi shëndetësor. Konsideroj që ardhja e tij ka edhe përparësitë e veta. Konsideroj që ka qenë në atë pozicion dhe i njeh mjaft mirë problematikat me të cilat ballafaqohen profesionistët shëndetësorë. Mund të mos jetë lajm i mirë për shumë individë që janë në pozita në struktura udhëheqëse të sistemit shëndetësor, për faktin që dr.Vitia i njeh ato problematika dhe e njeh mentalitetin se si funksionojnë gjërat në sistemin shëndetësor”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndër veprimet e para që duhet t’i ndërmarrë Vitia si udhëheqës i këtij dikasteri, do të duhej të ishte shkarkimi nga pozicionet udhëheqëse të të gjithë individëve që kanë qenë përgjegjës, por nuk kanë dhënë llogari për ndodhitë e muajit të fundit.

“Konsideroj qe duhet të shkarkohen, të largohen nga pozicionet udhëheqëse të gjithë ata individë që janë emëruar qoftë duke u bazuar në favore politike, të gjithë ata që janë inkompetent për ta kryer një detyrë që është sensitive. Askush nuk mori llogari për ato që ndodhën në muajin e fundit në shëndetësi nën menaxhimin e tyre, ky është dështim. Shkarkimi i të gjithë atyre që gjatë kësaj periudhe e kanë shfaqur mungesën e eksperiencës në menaxhimin e resurseve humane dhe komplet sistemit”, ka thënë ai.

Duraku beson se Vitia do të ketë kompetenca të plota si ministër i Shëndetësisë dhe autonomi në vendimmarrje.