Arbëri

S’dëgjohen thirrjet e KFOR-it dhe BE-së, në veri shtohen barrikadat

Përditësim

Serbët në veri kanë vendosur dy barrikada të reja mëngjesin e së martës, pavarësisht thirrjeve të BE-së dhe KFOR-it që të hiqen ato që ishin vendosur ditë më parë.

Besim Hoti nga Policia e Kosovës në veri e ka konfirmuar për KOHËN se janë vendosur dy barrikada të reja atje.

KOHA ka mësuar se njëra është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike dhe tjetra te vendi i quajtur “Kërshi i Dudes”.

Këto barrikada e çojnë në 13 numrin e barrikadave të vendosura në veri që nga 10 dhjetori.

{gallery}

Barrikada e vendosur të martën. Foto: Driton Paçarada/KOHA


Barrikadat janë vendosur si kundërshtim për arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Pantiq u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri.

Gjatë ditës së hënë Bashkimi Evropian (BE) dhe KFOR-i kanë kërkuar që të hiqen barrikadat në veri.

BE-ja ka thënë se liria e lëvizjes në Kosovë duhet të kthehet menjëherë dhe pa kushte e të garantohet “liri e plotë dhe e papenguar e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, përfshirë edhe liderët fetarë”.

BE-ja ka përsëritur sërish se “kërkon nga dyja palët që të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet që rrjedhin nga dialogu”.

Edhe KFOR- i ka kërkuar vazhdimisht ditëve të fundit që barrikadat të hiqen përmes dialogut.