Arbëri

Grenelli sërish sulmon Kurtin, e bën fajtor për tensionet në veri

Richard Grenell sërish ka sulmuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë se “Kurti po vazhdon me veprime të njëanshme e po shkel marrëveshjet ndërkombëtare”.

Grenell madje i ka dhënë disa sugjerime Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.

“Dhuna e fundit në Kosovë është e papranueshme. Albin Kurti  po vazhdon me veprimet e tij të njëanshme në veri duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtar – Anthony Blinken duhet të kërkojë që: Kurti të lirojë të burgosurit serbë dhe të përmbahet nga arrestimi i protestuesve paqësorë, dhe të ndalojë së dërguari forcat speciale në veri – e në të njëjtën kohë të kërkojë barrikadat që të hiqen. Gjitha këto duhet të bëhen në të njëjtën kohë”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Ai ka reaguar po ashtu edhe për faktin se patriarkut serb Porfirije i është kërkuar të dënojë dhe distancohet nga veprimet e pjesëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe që po përkrahin grupet kriminale në veri të Kosovës, para se t’i lejohet hyrja në Kosovë. Grenell ka thënë se kjo është “shkelje e lirive fetare”.

“Është muaj i shenjtë për të krishtërerët – Albin Kurti nuk duhet t’i kërkojë patriarkut serb së pari të bëjë një deklaratë politike para se të lejohet të hyjë. Kjo është shkelje direkte të lirisë fetare – dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë duhet publikisht ta dënojë këtë”, ka shkruar Grenell.

Grenell edhe në të kaluarën ka sulmuar Kurtin.