Arbëri

Diplomatja në Hagë kritikon institucionet për mungesë kujdesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Diplomatja për të cilën deputetë të opozitës pretendojnë se familjarët e saj kishin marrë premtime nga ministrja Gërvalla se nuk do të shkarkohet nga misioni në Hagë, i ka kritikuar institucionet për mungesë kujdesi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, mbi të cilët rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Përveç Yllka Gecit, e cila u largua nga Ambasada në Holandë, “KOHA” ka mësuar se janë edhe dy diplomatë të tjerë, ndaj të cilëve ministrja ka nxjerrë vendime për shkarkim

Ministrja Donika Gërvalla ka shkarkuar diplomatë edhe në javën që shkoi.

Diplomatja Yllka Geci, të cilën Gërvalla e largoi nga misioni në Hagë, ka kritikuar institucionet për mungesë përkujdesjeje ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, mbi të cilët rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Shërbimin ndaj vendit tim e kam konsideruar gjithmonë si nder sa edhe si përgjegjësi. Përgjatë më shumë se një dekade në shërbimin e jashtëm të Kosovës, dua t'i veçoj dy vjetët e fundit në kuadër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Hagë. Kjo periudhë më ngarkoi me një detyrë të cilën kurrë në jetën time nuk do ta kisha dëshiruar. Tetë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë vetëm emra. Janë tetë shtylla të lavdisë sonë historike dhe si të tillë janë tetë arsye për të na vrarë në ndërgjegjen tonë kolektive. Janë tetë arsye për të punuar natë e ditë që, për hir të së ardhmes së shtetit tonë të fituar me gjak, kjo betejë të fitohet”, ka shkruar Geci në “Facebook”.

Përgjatë gjithë kohës, përveç punës zyrtare, ajo thotë të ketë parë peripecitë e familjarëve të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veslit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës, Pjetër Shalës, Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

“Si një familjare që kam përjetuar të njëjtat procese, bashkëndjeva dhimbjen e tyre në çdo frymëmarrje. Pas dy vjetësh angazhimi, me dëshirën që aktiviteti dhe angazhimi institucional të rritet, po largohem me bindjen se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përkrahen fuqimisht nga populli, por jo njëjtë edhe nga institucionet shtetërore. Nëse vazhdojmë kështu do të dënohemi nga historia. Nuk ka rëndësi një Yllkë, rëndësi ka qasja institucionale në këtë proces. Personalisht dua të shpresoj se dënimet e padrejta të shqiptuara deri më tani, do të jehojnë fuqishëm në ndërgjegjen e institucioneve tona”, ka shtuar ajo.

“KOHA” ka provuar të marrë një qëndrim prej Gecit të hënën, nëse shkarkimi ndërlidhet me angazhimin e saj rreth të akuzuarve, por nuk është përgjigjur.

E deputetët e opozitës shkarkimin e saj e kanë ndërlidhur edhe me veprimet rreth Dhomave të Specializuara. Madje deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar tha se ministrja u kishte premtuar familjarëve të Gecit se nuk do ta shkarkonte.

Yllka Geci është motra e bashkëshortes së ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi. Djalë i axhës së tij, Rexhep Selimi është njëri prej të akuzuarve në Hagë.

këtë komision kemi raportuar se nuk do ta shkarkoni dhe se keni pasur mirëkuptimin e familjarëve dhe posa keni dalë nga komisioni ka ndodhur krejt e kundërta, i keni dërguar shkresë, e keni shkarkuar. Nëse keni bërë një të mirë për këta familjarë, ka qenë e padrejtë me e shkarku”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Por Gërvalla mohoi të ketë dhënë premtime të tilla, duke thënë se Gecit i ka skaduar mandati.

“Nuk e di se si e keni kuptuar herën e kaluar. Unë jam pyetur si ndodh në zgjatjen selektive të mandateve. Dhe asaj zonjës ia kemi zgjatur gjashtë apo 12 muaj, më duket se gjashtë, për një kohë të caktuar dhe ajo kohë ka përfunduar. Unë nuk i di detajet, por nuk ka lidhje ajo punë, a ishim në komision a ku ishim. Në vendimin e zgjatjes është shënuar afati se kur skadon. Mund të ketë skaduar pikërisht atë ditë, por nuk i dihet rastësisë. Nuk ka asnjë lidhje njëra me tjetrën, asaj zonjës i ka skaduar afati që ia kemi zgjatur dhe duhet t’i përfundojë mandati”, ka theksuar Gërvalla.

“KOHA” ka mësuar se ministrja ka nxjerrë edhe vendime për së paku dy diplomatë tjerë, për tërheqje nga misionet diplomatike, por të cilat nuk janë bërë publike.

Që prej ardhjes në krye të MPJD-së, ministrja Gërvalla ka nxjerrë vendime për shkarkimin e zyrtarëve të Shërbimit të Jashtëm, duke e cilësuar si pjesë të masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike dhe për anulimin e vendimeve të jashtëligjshme. Por disa prej vendimeve, janë anuluar ose janë në proces shqyrtimi nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

“KOHA” ka raportuar së fundi se Gërvalla kishte vendosur ta kthejë në punë shefin e konsullatës së Kosovës në Shtutgart, për të cilin një Komision brenda MPJD-së ka konstatuar keqpërdorimin e mjeteve të dedikuara për mësimdhënësit e gjuhës shqipe. Por pavarësisht kësaj, Gërvalla pa dhënë një shpjegim është tërhequr nga vendimi. Megjithëkëtë, betejën ligjore për largimin e Imer Lladrovcit nga MPJD-ja e ka vazhduar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili edhe e kishte denoncuar atë për keqpërdorimin. Komisioni Disiplinor ka vendosur sërish se Lladrovci duhet përjashtuar nga shërbimi i jashtëm. Aktualisht, rasti është duke u trajtuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.

Me gjithë zotimin e ministres për kthimin e ligjshmërisë në MPJD, Gërvalla është denoncuar nga mekanizmat brenda këtij dikasteri, siç është Shoqata Sindikale, për vazhdimësi të praktikës së qeverive paraprake duke emëruar e graduar persona të afërt me partitë në pushtet, pa i respektuar procedurat ligjore.