Arbëri

Gërvalla riktheu në punë diplomatin që e përjashtoi për keqpërdorim fondesh

Diplomatin, të cilin ministrja Donika Gërvalla e kishte përjashtuar nga puna pas dyshimeve për keqpërdorimin e fondeve të Qeverisë gjermane, të dedikuara për mësimdhënësit e gjuhës shqipe në Frankfurt, e ka rikthyer në punë. Por ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, që e kishte denoncuar Imer Lladrovcin për keqpërdorim, është duke e vazhduar betejën ligjore për largimin e tij nga Shërbimi i Jashtëm. KOHA ka siguruar dokumentet që shpërfaqin kronologjinë e rastit, i cili është heshtur nga Ministria

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka rikthyer në punë diplomatin që vetë e kishte përjashtuar nën akuzën se ka keqpërdorur fondet e shtetit të Gjermanisë, të dedikuara për mësimdhënësit e gjuhës shqipe.

Megjithëse Ministria nuk ka ofruar sqarime, burime të ndryshme kanë thënë se shefi i Konsullatës në Shtutgart, Imer Lladrovci, dyshohej për tërheqjen e paautorizuar të rreth 20 mijë eurove.

Mbështetur në dokumentacionin që ka siguruar KOHA, në korrik të këtij viti MPJD-ja kishte themeluar edhe një komision hetimor për verifikimin e pretendimeve të paraqitura në denoncimin e ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Komisioni kishte për detyrë që ta bëjë verifikimin e pretendimeve për, siç thuhet, shkelje të rënda nga Imer Lladrovci. Me këtë rast, ishte kërkuar të saktësohet nëse diplomati Lladrovci “ishte i vetmi që ka pasur qasje në fondet e dedikuara për mësimdhënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, në landin Baden-Württemberg; kush ishte personi që kishte nënshkruar tërheqjen e mjeteve; a kanë pranuar mjete kesh të gjithë mësimdhënësit, të cilët në raport financiar të bankës referohen se janë tërhequr në emër të tyre dhe nëse po, kur i kanë pranuar”. Po ashtu kërkohej të konstatohet nëse ishin informuar mësimdhënësit se këto mjete janë dedikuar për ata nga fondet e landit të Baden-Württemberg.

Sipas vendimit, Komisionit do t’i mundësohej qasja në të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në posedim nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart dhe, sipas mundësisë, do t’i intervistojnë të gjithë mësimdhënësit të cilët në raport të bankës figurojnë emrat, në emër të të cilëve janë tërhequr mjetet financiare në kesh.

Paraprakisht në dhjetor të vitit 2021, ministrja Gërvalla e kishte tërhequr para kohe nga misioni diplomatin Lladrovci, duke e sistemuar në pozitën “Zyrtar i Lartë për Trajnime dhe Zhvillim”.

Derisa ministrja e konsulli nuk kanë treguar arsyet e shkarkimit, KOHA pati raportuar se ndaj shefit të Konsullatës ka pasur ankesa nga disa shoqata, të cilat i kanë nisur notë proteste edhe Qeverisë.

Por Lladrovci kishte kundërshtuar vendimin e ministres, duke u ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Në trajtimin e këtij rasti, është përmendur edhe keqpërdorimi i fondeve. Në vendim konfirmohet rekomandimi i Komisionit për Grada dhe Disiplinë për ministren Gërvalla, që Lladrovcit t’i shqiptohet masë disiplinore “largim nga Shërbimi i Jashtëm dhe përjashtim nga puna”, me arsyen se i njëjti ka kryer shkelje të rënda të parashikuara në rregullat e Shërbimit Civil, si dhe në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

“Komisioni për Grada dhe Disiplinë, sipas inicimit të procedurës disiplinore të datës 1.7.2022, ka nxjerrë vendimin nr.ref.237/2022 të datës 22.7.2022 me numër protokolli 2783, me të cilin i ka propozuar ministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që ankuesit t’i shqiptohet masë disiplinore ‘Largim nga Shërbimi i Jashtëm dhe Përjashtim nga puna’, me arsyetimin se ankuesi ka kryer shkelje të rënda të parashikuara në rregullat e Shërbimit Civil, si dhe në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, shkruan në vendim.

Tërheqja e ministres nga vendimi

Duke iu përgjigjur rekomandimit të Komisionit, ministrja Gërvalla më 22 korrik kishte nxjerrë vendim për largim të Lladrovcit nga Shërbimi i Jashtëm, përkatësisht përjashtim nga puna.

“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me datë 22.7.2022 nxjerr vendim me numër ref. 466/2022, sipas të cilit, anëtarit të Shërbimit të Jashtëm, në këtë rast ankuesit, i është shqiptuar masë disiplinore ‘Largim nga Shërbimi i Jashtëm’ respektivisht në pikën 2 të dispozitivit të vendimit përcaktohet se: ‘Largimi nga Shërbimi i Jashtëm do të thotë përjashtim nga puna’”, thuhet në vendim.

Por Lladrovci e kundërshtoi vendimin e ministres pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Kur Këshilli i kërkoi sqarime Ministrisë gjatë trajtimit të rastit, MPJD-ja e njoftoi se ministrja ka shfuqizuar vendimin për përjashtim nga puna të Lladrovcit. Meqë Ministria ishte tërhequr nga vendimi, Këshilli në vendimin e 18 tetorit konstaton se ka përfunduar procedimi administrativ, meqë Gërvalla e ka përmbushur kërkesën e Lladrovcit, për çka ishte ankuar. Në MPJD nuk kanë ofruar sqarime lidhur me rastin, edhe pse pyetjet u janë dërguar prej 29 nëntorit.

Rihapja e rastit në Komision Disiplinor

Pavarësisht se Gërvalla ishte tërhequr nga vendimi, betejën ligjore me Lladrovcin është duke e vazhduar ambasadori që e kishte denoncuar keqpërdorimin, Faruk Ajeti. Ai e ka rihapur rastin në Komision Disiplinor, i cili ka konstatuar sikur herën e parë se Lladrovci ka bërë shkelje të rëndë.

I kontaktuar nga KOHA, Ajeti ka sugjeruar që sqarimet të kërkohen në MPJD.

“Luteni për këtë çështje ta kontaktoni Departamentin për Komunikim Publik të MPJD-së”, ka thënë shkurt Ajeti.

Pas ankesës së Lladrovcit, aktualisht rastin është duke e trajtuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Avokati i Lladrovcit kundërshton rihapjen e rastit

Përgjigjeve të KOHËS nuk u është përgjigjur as Lladrovci. E, avokati i tij, Hajzer Salihu, e ka quajtur të padrejtë rihapjen e rastit, teksa ka refuzuar të flasë për dyshimin rreth keqpërdorimit të fondeve.

“Ai që e kishte iniciuar rastin në fillim e ka iniciuar prapë. Edhe pse ka marrë shfuqizimin e vendimit të ministres, prapë e ka rihapur rastin. Procedura administrative është e përcaktuar me Ligjin e procedurës së përgjithshme administrative, sipas së cilës, një procedim administrativ për çështjen e njëjtë mundet me u rihapë vetëm një herë brenda dy vjetëve. Këtu ka pasur një procedim administrativ, ka pasur një inicim të procedurës disiplinore nga ana e ambasadorit, është dhënë një masë nga ana e ministres”, ka thënë Salihu. “Ministrja vetë e ka shfuqizuar masën sepse ka konstatuar se vendimi ka qenë i paligjshëm. Në kuadër të kësaj, Këshilli pastaj e ka marrë një vendim dhe e ka përfunduar procedimin administrativ. Pasi kanë rrjedhë këto dy vendime, ambasadori sikur s’ka qenë i kënaqur me vendimin e ministres, edhe të Këshillit. Ka iniciuar prapë rastin në Komision Disiplinor me të njëjtat fakte, me të njëjtat prova. Kjo është në kundërshtim me çdo normë ligjore që është në fuqi”.

Megjithëse shumë diplomatë janë vendosur në rokadë dhe janë larguar e rikthyer në punë, MPJD-ja është treguar jotransparente lidhur me këto vendime.