Arbëri

Rizvanolli: “Vala” është prezente në të gjitha pikat kufitare

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se shërbimet e komunikimeve elektronike të operatorit të telefonisë “Vala” janë duke mbuluar të gjitha pikat kufitare të vendit, përfshirë edhe dy pikat kufitare në veri të vendit.

Rizvanolli të martën gjatë raportimit për nivelin e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike në Komisionin për ekonomi, ka folur edhe për tentimet e qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimeve të komunikimeve edhe në katër komunat veriore të vendit.

“Tani ‘Vala’ është prezente në të gjitha pikat kufitare, përfshirë edhe dy pikat kufitare në veri”, ka shtuar ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Driton Hyseni, ka theksuar se edhe pse ka ngritje të cilësisë së shërbimeve elektronike për qytetarët, ka ende telashe ose sfida për mbulimin e tërë vendit me shërbime telefonike dhe internetit.

Deputeti Hyseni ka potencuar se ka një angazhim të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për rritjen e shërbimeve të komunikimeve elektronike, por ka shtuar se nxitja e konkurrencës në këtë fushë është e nevojshme.

Me kërkesë të shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, Komisioni ka vendosur që ministrja Rizvanolli, të martën të raportojë edhe për strategjinë për energji. / ksp