Arbëri

Pas vonesave disamujore, fillon faza e dytë në rehabilitimin e linjës të 10 hekurudhore

Descriptive Text

Në kohën kur do të duhej të përfundonte faza e dytë e rehabilitimit të linjës së 10 hekurudhore Fushë Kosovë Mitrovicë, Qeveria e Kosovës përmes një ceremonie ka bërë të ditur fillimin e punimeve në të.

Duke mos përmendur fare vonesat në këtë pjesë që përfshinë 34.4 kilometra rrjet hekurudhor në vlerë prej 48 milionë euro, kryeministri Albin Kurti ka thënë se rehabilitimi i saj do t’i paraprijë zhvillimit ekonomik.

“Transportin hekurudhor njihet mirë si transport i gjelbër, realizimi i tërësishëm i rehabilitimit gjeneral dhe modernizimit të linjës së dhjetë hekurudhore pritet të përfundojë në vitin 2024-2025 , kështu Kosova do të ketë një linjë hekurudhore e cila i plotëson të gjitha kërkesat e interoperabilitetit të përcaktuara sipas direktivave të Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ky projekt rrit lidhjen rajonale dhe lehtëson importin dhe eksportin si dhe qarkullimin e udhëtarëve në të gjithë rajonin.

“Ndërtimi dhe infrastruktura ndërlidhëse krijon lidhje dhe mundësi për bizneset dhe njerëzit. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian e ka vënë ndërlidhjen në agjendën tonë, që synon përmirësimin e lidhjeve midis Ballkanit Perëndimor, por edhe me lidhjet rajonale me BE-në, dhe hekurudhat janë në qendër të agjendës së lidhjes si mjete të qëndrueshme transporti”, tha Szunyog.

E ushtruesi i detyrës së kryeshefit në INFRAKOS, Uran Mulaj tha se infrastruktura e hekurudhave është ndër shtyllat më të fuqishme ekonomike e vendit.

“Me këtë projekt synojmë që përveç rehabilitimit të trasesë edhe të aseteve tjera përcjellëse si platforma për udhëtarë, platformën e re për mallra në Mitrovicë urat lëshesa, kryqëzimet në nivel të cilat do të arrihet siguri më e qëndrueshme në kryqëzimet hekurudhë-rrugë”, tha Mulaj.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ajo e Ekonomisë, Artane Rizvanolli vlerësuan se zhvillimi i infrastrukturës së hekurudhave është shtysë e re e zhvillimit ekonomik.

Projekti i Linjës së 10-të përfshin rehabilitimin e hekurudhës nga Hani i Elezit deri në Lishak. Në vitin 2019 ka nisur pjesa e parë, që është rehabilitimi i segmentit nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë.

Pjesa e dytë përfshin linjën nga Fushë-Kosova deri në Mitrovicë, ndërsa e treta vazhdon nga Mitrovica deri në Leshak.