Arbëri

Katër komuna s’arrijnë t’i arkëtojnë mbi 14 milionë euro borxhe

Katër komuna të rajonit të Prishtinës kanë dalë të pafuqishme për të mbledhur borxhet që bizneset dhe qytetarët i kanë ndaj tyre. Ky borxh në fund të vitit 2021 ka arritur në 14 milionë e 163 mijë e 531 euro dhe shifra më i madhe i përket Komunës së Fushë-Kosovës me 4,641,559 euro, pastaj Podujeva me 4,348,898 euro, Graçanica me 3,826,839 dhe Obiliqi 1,346,235 euro

Me përmbarues privat po synojnë t’i arkëtojnë të hyrat e grumbulluara ndër vite zyrtarët komunalë të Obiliqit.

Shifra e borxheve që bizneset dhe qytetarët i kanë kësaj komune ka arritur në 1 milion e 346 mijë e 235 euro.

Komunarët e Obiliqit kanë thënë se dy herë gjatë këtij viti u kanë dërguar vërejtje me shkrim për shlyerje të këtij borxhi.

Obiliqi në pritje të përmbaruesve për inkasim të mjeteve

Shifra më e madhe e këtyre borxheve në secilin komunë është nga tatimi në pronë.

“Llogaritë e arkëtueshme kanë trend rritës përgjatë tre viteve, ku në fund të vitit 2021 të arkëtueshmet kishin arritur vlerën prej 1,346,235€, duke shënuar rritje për 6% apo 80,493€ në raport me të arkëtueshmet e vitit 2020 që ishin 1,265,742€. Pjesa më e madhe e Ll/A ka të bëjë me tatimin në pronë të cilat kanë arritur vlerën 893,369€ po 66% e saldos totale të Ll/A. Mungesa e kontrolleve adekuate në menaxhim dhe inkasim të të hyrave ka ndikuar në rritjen e llogarive të arkëtueshme. Komuna nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për inkasimin e të hyrave nga obliguesit e saj”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Obiliqit.

Bazuar në nenin 26 të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme nr.06-L 005, Komuna, Ministria e Financave dhe organet kompetente përmbaruese kanë autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara që kalojnë shumën e dhjetë (10€).

“Dhe neni 27, nëse një tatimpagues apo debitor nuk ka paguar plotësisht tatimin dhe gjobën në përputhje me afatet e përcaktuara, komuna nxjerr njoftimin përfundimtar me shkrim brenda dhjetë (10) ditëve pune pas ditës së fundit për pagesë, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara, jo më vonë se dhjetë (10) ditë kalendarike pas ditës që njoftimi përfundimtar konsiderohet të jetë pranuar nga debitori”, thuhet në raport.

Ndërkohë, në një përgjigje të Drejtorisë për Ekonpmi, Financa dhe Zhvillim thuhet se vlera prej 137,624.68 janë borxhe të mëhershme.

“Sa i përket planit të inkasimit për borxhet e paarkëtuara, ju kemi dërguar vërejtje brenda vitit dhe më dt.09.12.2022 i kemi përsërit vërejtjet e fundit dhe afati është mbrenda 10 diteve me i bërë pagesat. Nëse nuk i përgjigjen thirrjes për pagesë automatikisht do t’i dërgojmë te përmbaruesi”, kanë thënë zyrtarët e DEFZH-së. “Kemi arritur të bëjmë tejkalimin e THV nga planifikimi, prandaj projektet nuk kanë qenë të rrezikuara, por tatimi në pronë është obligim ligjor dhe duhet të bëhet inkasimi edhe përmes procedurave ligjore”.

Podujeva thotë se i ka rritur të hyrat

Shifër e madhe të të hyrave të paarkëtuara ka Komuna e Podujevës. Sipas ZKA-së, Komuna në PFV e vitit 2021 ka shpalosur llogari të arkëtueshme në vlerë prej 4,348,898€.

“Pjesa më e madhe i takon tatimit në pronë në vlerë 3,367,081€ apo rreth 77%, qiraja komunale në vlerë 966,181€ apo rreth 22% dhe të tjera në vlerë 15,636€. Komuna nuk kishte menaxhim efektiv në mbledhjen e të arkëtueshmeve pasi që vazhdon rritja e tyre nëpër vite. Në krahasim me vitin paraprak rritja ishte rreth 181,708€ për tatimin në pronë dhe qiratë komunale”, thekson raporti i Auditorit.

Bazuar në këtë dokument, Komuna kishte marr vendim për shkëputjen e kontratave me qiramarrësit, të cilët nuk kanë kryer obligimin e qirasë ndaj komunës.

“Në vendim parashihet nëse qiramarrësit nuk kryejnë pagesën e borxhit në afatin prej 10 ditësh nga dita e marrjes së vendimit, realizimi i borxhit do të bëhet me procedurë përmbaruese/gjyqësore, mirëpo komuna nuk kishte ndërmarr masat e parapara sipas vendimit për inkasimin e borxheve të mbetura që nga viti 2017”, thekson tutje ky raport.

Mosinkasimi i të hyrave, sipas ZKA-së ndikon edhe në realizimin e projekteve komunale. Por, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, thotë se kanë inkasuar mjete më shumë sesa planifikimi.

“Këto llogari të arkëtueshme janë të akumuluara që nga paslufta. Në dy vitet e fundit ka rritje të konsiderueshme të të hyrave nga tatimi në pronë, nëse e krahasojmë me vitin 2020 kemi afërsisht dyfish më shumë të hyra. Ne vitin 2022 kemi afër 500 mijë euro të hyra vetanake të arkëtuara me shumë se sa planifikimi buxhetor. Deri në këtë kohë janë rreth 1.8 milionë euro të arkëtueshme për vitin 2022”, ka deklaruar Fatri Zhitia.

Sipas tij, grumbullimi i mjeteve do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim të rritjes së arkëtimit.

“Përderisa Komuna arkëton më shumë të hyra sesa planifikime, nuk e dëmton realizimin e projekteve, ku gjithashtu të hyrat vetanake mund të barten për vitin e ardhshëm dhe të njëjtat mjete nuk shkojnë suficit”, ka thënë ai.

Borxhi më i madh në Fushë-Kosovë

Nga këto katër komuna, borxhi më i madh i grmbumbulluar është në Komunën e Fushë-Kosovës. Kjo shifër, sipas ZKA-së është mbi 4.6 milionë euro.

“Vlera e shpalosur në PFV ishte 4,641,559€ me një rritje prej 377,990€ krahasuar me vitin 2020. Kjo vlerë përbëhet nga të arkëtueshmet e tatimit në pronë, taksa në biznes, leje ndërtimi dhe shfrytëzimi i pronës publike. Sfida kryesore mbetet në inkasimin e tatimit në pronë, e cila është rritur për 11% në vitin 2021. Për kundër faktit se komuna ka marrë masa lidhur me inkasimin e llogarive të arkëtueshme tek tatimi në pronë duke dërguar vërejtje dhe njoftimet përfundimtare tek tatimpaguesit, rritja e tyre vazhdon nga viti në vit”, thekson raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas të njëjtit, borxhet nga taksat për ushtrimin e veprimtarisë së bizneseve janë mjaft të larta dhe të përcjellura që nga viti 2017 në vlerë 782,408€.

“Nga auditimi i 10 mostrave nga kjo kategori, është vërejtur se nuk ka pagesa ndër vite nga këto biznese, e po ashtu nuk ka as ngarkesa në vitet e fundit për shkak të vendimeve të Kuvendit Komunal për lirimin e tyre. Si të tilla këto borxhe nuk pritet të arkëtohen, pasi që kanë kaluar mbi pesë (5) vite nga pezullimi i taksave për ushtrimin e veprimtarive të bizneseve. Kjo ka ndodhur për arsye të mosvendosjes së mekanizmave adekuate në kohën e duhur nga ana e komunës për arkëtimin e borxheve”.

KOHA i ka dërguar pyetje Komunës së Fushë-Kosovës që nga 13 dhjetori, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Graçanica, komunë e vogël me borxhlinj të mëdhenj

Komuna e Graçanicës është e treta për nga mjetet e painkasuara nga këto katër komuna. Sipas raportit të ZKA-së, Komuna në RVF e vitit 2021 ka shpalosur llogari të arkëtueshme në vlerë prej 3,826,839€.

“Pjesa më e madhe i takon tatimit në pronë në vlerë 2,881,689 apo rreth 75%, shpronësimi i tokës në vlerë 671,855€ apo rreth 18%, taksat në veprimtari në vlerë 228,270€ apo rreth 6% dhe të tjerat në vlerë 45,025€ apo rreth 1%, të hyrat nga shpronësimi i tokës komunale 671,855€, dënimet nga inspekcioni 26,683€ dhe nga qiraja 18,342€. Komuna nuk kishte menaxhim efektiv në mbledhjen e të arkëtueshmeve pasi që vazhdon rritja e tyre nëpër vite. Në krahasim me vitin paraprak rritja ishte rreth 214,796€”, thekson Auditori.

Sipas raportiti, dobësitë e identifikuara lidhur me llogaritë e arkëtueshme janë për shkak të kontrolleve të brendshme jo efikase në menaxhimin përkatësisht arkëtimin e tyre.

“Mosarkëtimi në kohë i të hyrave të ngarkuara ndikon në nivelin e fondeve të mbledhura për buxhetin komunal dhe reflekton negativisht në financimin dhe realizimin e projekteve nga të hyrat vetjake. Kryetarja duhet të sigurojë përmirësimin e procesit të menaxhimit të llogarive të arkëtueshme në mënyrë të rritjes së efikasitetit në arkëtimin e llogarive të arkëtueshme”.

KOHA i ka dërguar pyetje Komunës së Graçanicës që nga 13 dhjetori, por ende nuk ka marrë përgjigje.