Arbëri

MSH: Format e COVID-19 të zgjatur, problematike për shëndetin

Ministria e Shëndetësisë iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen me vaksinat kundër COVID-19 dhe kundër gripit sezonal.

Në njoftimin e publikuar në Facebook të hënën, MSH-ja tha se krahas rasteve të reja të infeksionit, format e COVID-19 të zgjatur “dinë të jetë problematike për shëndetin”.

Ministria theksoi se numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë mbetet i vogël, derisa në vendet e ndryshme të botes tha se po regjistrohet rritje rastesh.

“Ndërkohë që në vendin tonë, numri i rasteve me COVID-19, fatmirësisht mbetet i vogël, në vende të ndryshme të botës së fundi po regjistrohen raste në rritje nga infeksioni. Krahas rasteve të reja, format e COVID-19 të zgjatur, dinë të jenë problematike për shëndetin tuaj. Së këndejmi, Ministria e Shëndetësisë ju rekomandon që të vazhdoni të vaksinoheni me dozën e radhës të vaksinës kundër COVID-19 dhe, gjithashtu, edhe me vaksinën kundër Gripit sezonal. Të dy këto vaksina mund të merren në të njëjtën kohë/ditë”, thuhet në njoftim.