Arbëri

Abdixhiku: Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë, duke shtuar se Kurti s’mund të krijojë “e as të ushtrojë sovranitet në veri”.

Sipas Abdixhikut, Kosova s’ka institucione shtetërore në veri për t’i organizuar zgjedhjet, ndërsa u shpreh se nëse dikur situata ishte e rëndë në veri, tash është edhe më e rëndë.

“Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativë në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim. Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani”, deklaroi Abdixhiku.

Deputeti i LDK-së shtoi Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë dhe të koordinojë çdo hap të mundshëm me aleatët “për të kthyer rendin e ligjin në veri”.

“Fjalimet e kota e populiste nga foltoret në Prishtinë sot humbasin përbrenda thatësisë. Sot humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’i shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim”, theksoi tutje Abdixhiku.

Tash e 10 ditë një pjesë e veriut ka mbetur e bllokuar si pasojë e barrikadave serbe.