Arbëri

Sveçla: Policia është e aftë dhe ka kapacitete të përballet me struktura kriminale

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës të së dielës pranë kufirit në Jarinjë nga një grup të së djathtës ekstreme, duke thënë se qytetarët duhet të sigurohen që Policia e Kosovës ka kapacitete dhe është e aftë të përballet me strukturat kriminale.

Sveçla ka thënë se me këtë protestë, në anën serbe të këtij pikëkalimi kufitar është shfaqur një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës.

“Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të republikës sonë”, ka shkruar ai në Facebook. “Të njëjtët aktorë joshtetërorë, por të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviqi (bashkëpunëtor i organizatës paramilitare famëkeqe ruse Ëagner), u mësynë që ta thejnë këtë pikëkalim kufitar. Ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërore e joshtetërorë të këtyre dy vendeve, që janë të vetmet, që nga Lufta e Dyte Botërore, që ndezën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu”, ka shkruar më tej Sveçla.

Sipas tij, të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin e Kosovës, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë.

“Ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë qëllimin ruso-serb, duke ngulur këmbë që mos t’i nënshtrohemi në asnjë mënyrë mashtrimit të madh që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian”, ka shkruar më tej ai.