Arbëri

Protestë e vogël në Beograd në mbrojtje të serbëve të Kosovës

Në Beograd, qindra protestues janë mbledhur para ndërtesës së presidencës për të shprehur përkrahje për serbët në Kosovë. Prijës i kësaj proteste ishte lideri i partisë së djathtë e i cili ka pretenduar se serbët e Kosovës po kërcënohen nga shumica shqiptare dhe nga ajo që e quajti Qeveri separatiste në Prishtinë

Disa qindra protestues janë mbledhur mbrëmjen e së premtes para ndërtesës së presidencës serbe në Beograd për të shprehur përkrahje për serbët në Kosovë.

Protestuesit mbajtën flamuj me shkrimet: “S’ka dorëzim” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”.

Kësaj proteste i ka prirë partia serbe e ekstremit të djathtë, Dveri. Lideri i saj, Boshko Obradoviq, para protestuesve ka theksuar se detyrë patriotike e serbëve është solidarizimi me serbët në Kosovë.

“Ne, sonte, po e kryejmë detyrën patriotike për ta shprehur solidaritetin me serbët në veri të Kosovës, por, të mos harrojmë, edha me ata andej Ibrit, të cilët po kërcënohen përsëri nga i njëjti koalicion i qeverisë separatiste në Prishtinë dhe ish-terroristët e UÇK-së si dhe sponsorët e mentorët e tyre perëndimorë që për dekada me radhë kanë qenë duke krijuar një tjetër shtet shqiptar në Ballkan”, ka thënë Obradoviq.

Protesta është mbajtur në ditën kur Serbia zyrtarisht ka dorëzuar kërkesë te KFOR-i për kthimin e ushtrisë së saj në Kosovë, duke u thirrur në rezolutën 1244 të OKB-së.

Kërkesa është paraqitur me gjithë paralajmërimet se ajo nuk do të pranohet.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për televizionin shtetëror RTS ka thënë se Qeveria i ka kërkuar komandantit të KFOR-it që ta lejojë kthimin e deri në 1 mijë ushtarëve dhe policëve serbë në veri të Kosovës.

Zyrtarët serbë kanë pretenduar se NATO-ja dhe misionet paqeruajtëse të Bashkimit Evropian e kanë të pamundur t’i mbrojnë serbët në veri nga ngacmimet e shqiptarëve.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka raportuar se kthimi i ushtrisë serbe ka pak gjasa që të lejohet, ngase do ta nënkuptonte de-fakto dorëzimin e pjesëve veriore të Kosovës te forcat serbe – veprim ky që do ta tensiononte edhe më shumë Ballkanin.

Sipas raportimit të AP-së, tensionet midis Serbisë dhe Kosovës janë ngritur gjatë javës së kaluar, kur serbët ngritën barrikadat në rrugët kryesore të veriut, si shenjë proteste kundër arrestimit të ish-policit serb në Kosovë.