Arbëri

Sveçla: Kosova s’ka listë me të cilën i arreston ish-policët

Descriptive Text

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar edhe një herë ndaj asaj që e ka quajtur “fushatë dezinformuese të Serbisë”, që sipas tij, po bëhet për pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe të frikësohen qytetarët serbë në veri.

Mediat serbe ditë më parë kanë raportuar për një “listë të famshme që e ka Policia e Kosovës”, që thuhet se përmban listën e njerëzve të kërkuar për arrestim. Askush s’e ka të konfirmuar se kjo listë ekziston.

Sveçla ka theksuar se lista të tilla nuk ekzistojnë, por janë vetëm shpifje të Beogradit.

“Fushata dezinformuese e Beogradit për të arsyetuar veprimet kriminale nuk ka të ndalur. "Lajmet" e porositura se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët, si pjesë e orkestruar e fushatës dezinformuese, po përdoren si mjete për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb. Nuk ka lista të tilla. Ne nuk përpilojmë aso listash”, ka shkruar ministri i Brendshëm në Facebook të premten.

Sveçla ka shpjeguar se “prokuroria që ndjek krimin është degë tjetër e pushtetit prej Policisë që zbaton ligjin e urdhrat dhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që është degë e ekzekutivit”.

Këto fushata dezinformuese, sipas Sveçlës, vërtetojnë edhe njëherë nevojë që barrikadat duhet të hiqen menjëherë.

“Fushata dezinformuese se një ish-polic në Mitrovicën e Veriut është arrestuar dhe se janë penguar punonjësit e elektrodistribucionit, vërteton edhe njëherë nevojën që barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se normaliteti duhet të kthehet sa më parë në këtë zonë”, ka shkruar Sveçla. Shtoi se Policia e Kosovës do të zbatojë urdhrat e organeve të drejtësisë dhe do të vazhdojë të jetë vigjilente në ruajtjen e sigurisë publike dhe luftimin e krimit në çdo kohë.

Barrikadat në veri këtë herë janë vënë pas arrestimit të një ish-polici serb, që dyshohet se ka kryer sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve javën e shkuar, në përpjekjet për të shkuar në zyrat e tyre në komunat veriore, në përgatitje për zgjedhjet që u parapanë për 18 dhjetor, e që më pas u vendos të shtyheshin për shkak të tensioneve.