Arbëri

Redaktimet në aktakuzën ndaj Thaçit e të tjerëve pritet të largohen deri më 30 janar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u zhvillua konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka deklaruar se planifikojnë urdhër për heqjen e të gjitha redaktimeve në aktakuzë deri në fund të muajit janar 2023.

Ai ka thënë se, ndonëse shumë prej redaktimeve në materialet provuese që janë nxjerrë, e që Zyra e Prokurorit të Specializuar synon t’i përdorë, mund të kenë qenë të domosdoshme në fazat e para të procesit, shumë prej tyre tani mund të jenë të panevojshme dhe mund të jenë pengesë për zhvillim efikas të gjykimit.

“Trupi gjykues vëren se një numër i madh i redaktimeve apo një numër i madh i dokumenteve që nuk lejojnë të nxirren janë autorizuar në fazën paraprake sepse ishin të domosdoshme dhe proporcionale në atë fazë të procesit. Tani që jemi gati të fillojmë gjykimin, turpi gjykues mendon që shumë prej këtyre redaktimeve nuk janë më të nevojshme apo proporcionale. Nëse i mbajmë, shumë prej këtyre redaktimeve në fakt cenojnë në mënyrë krejt të panevojshme të drejtën themelore të të akuzuarve... Trupi gjykues dëshiron të bëjë me dije se planifikon të urdhërojë heqjen e të gjitha redaktimeve në aktakuzë, sa i takon mbrojtjes, jo më vonë se 30 janari 2023”, ka thënë Smith, raporton Kosovapress.

Ai ka thënë Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duhet të vërtetojë nevojën për t’i mbajtur ende redaktimet në versionin publik të aktakuzës në përputhje me rregullën 88.2 të rregullores.

Kryetari i trupit gjykues ka thënë seancat private dhe të mbyllura do të jenë të kufizuara dhe më shumë do të jenë një përjashtim se sa rregull.

Smith ka theksuar se të gjitha redaktimet e materialet provuese që ZPS-ja synon t’i përdorë lidhur me 40 dëshmitarë të tjerë, përfshirë çdo deklaratë të dëshmitarit, duhet hequr 30 ditë para fillimit gjykimit. Por ka deklaruar se masat mbrojtjes do të mbetën në fuqi sa i përket publikut të gjerë.

Në këtë seancë, avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, ka theksuar se ka një çështje tjetër për këta 40 dëshmitarët që beson se duhet ta diskutojnë në seancë private.

Ndërsa avokati i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se synon të flasë për një dëshmitar, por që theksoi se prokuroria kishte kërkuar të diskutohet në seancë private.

Në këtë seancë, gjykatësi Smith bëri të ditur se ka planifikuar që më 1 mars 2023 të fillohet me deklaratat hyrëse, por për këtë mbrojtja e kërkoi fundin e marsit.

Ndërsa në fillim të seancës gjykatësi Smith, ka folur për mënyrën sesi planifikon të zhvillohen seancat.

“Trupi gjykues vëren se nuk do t’i lejojë palët që të bëjnë rrëfime historike të cilat nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me përfundimin e kësaj çështjeje gjyqësore. Trupi gjykues vëren po ashtu se ndryshe nga ajo që është thënë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është një gjyq këtu, nuk është në gjykim, nëse kështu e kupton pala mbrojtëse argumentin e ZPS-së kjo nuk është përfundim i trupit gjykues, këtu janë katër të akuzuar që gjykohen dhe askush tjetër”, ka thënë Smith.

Ai ka deklaruar se trupi gjykues do të merret vetëm me rrethanat që kanë të bëjnë me të akuzuarit.

Smith ka shtuar se krimet serbe nuk janë çështje të diskutueshme dhe nuk ka nevojë të dëgjohen çështje të tilla, por shtoi se nëse mbrojtja dëshiron të demonstrojë se si një incident me krime serbe ka pasur të bëjë me mënyrën e strukturimit dhe që ndërlidhet me aktakuzën, gjykata do të lejojë këtë.

Lidhur me këtë, avokati i Thaçit dhe se në momentin e duhur do të diskutojnë se çfarë lidhje kanë krimet serbe me provat që do të paraqesin.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.