Arbëri

Lajçaku takon Vuçiqin: Ai e kupton seriozitetin e situatës

Descriptive Text

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kupton seriozitetin e situatës së krijuar në Kosovë.

Ai u takua me Vuçiqin, derisa deklaroi në Twitter të mërkurën se biseduan për të gjetur një zgjidhje që "mund t'i ulte tensionet për heqjen e barrikadave".

“Patëm një diskutim të hapur dhe të sinqertë për një zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte largimin e barrikadave. Ai e kupton seriozitetin e situatës”, deklaroi Lajçak.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe iu kanë bërë thirrje serbëve që t’i heqin menjëherë barrikadat nga veriu i Kosovës dhe t’i ulin tensionet.

Deklarimeve të Vuçiqit se po e shqyrton futjen e ushtrisë serbe në Kosovë, iu përgjigj i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar.

Ai deklaroi se populli i Kosovës është i sigurt dhe NATO-ja është prezente.