Arbëri

PDK-ja: Barrikadat duhet të hiqen, marrëveshja finale të rezultojë me njohje të ndërsjellë

PDK - Memli Krasniqi

PDK-ja ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që në mënyrë të prerë ta dënojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe po ashtu Serbinë.

PDK-ja ka thënë se barrikadat nuk guxojnë të kthehen në përditshmëri të re dhe se ato duhet të largohen, e të kthehet normaliteti dhe garantimi i sigurisë për qytetarët.

“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se normalizimi i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme të krijuar në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të tolerohet. Barrikadat nuk guxojnë të kthehen në përditshmëri të re. Heshtja, injorimi dhe qëndrimi në vend nuk duhet të jetë zgjidhje për Qeverinë. Kompromiset e mëtutjeshme, jo e jo. PDK vlerëson lartë rolin dhe kontributin e KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë, por, megjithatë, në situatën aktuale, reagimi institucional shtetëror, konform ligjeve dhe kushtetutës tonë, është i pazëvendësueshëm. Sikur gjithmonë, por posaçërisht sot, të gjithë jemi me Policinë e Republikës së Kosovës. Kurajo dhe angazhimi që ata kanë treguar së fundmi është tregues i qartë se ne kemi zyrtarë të gatshëm për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor në tërë territorin tonë. Gjithçka që duhet është mbështetja e parezervë e Qeverisë së Kosovës ndaj tyre. Mosplotësimi i tërësishëm i nevojave dhe kërkesave të Policisë së Kosovës deri më tani është shqetësues. Urgjentisht dhe pa vonesa Qeveria duhet të siguroj gjithçka që duhet, që policët tanë të kenë kushtet e nevojshme për të zbatuar rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës”, është thënë në mbledhjen që ka mbajtur PDK-ja të martën.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka cekur sërish pesë pikat, që sipas tij, duhet të jenë shtyllat kryesore për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.

“1. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, 2. Njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, 3. Nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, 4. Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe 5. Njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Barrikadat në veri vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa janë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak.