Arbëri

Situatë e qetë në veri me gjithë rrugët e barrikaduara, sërish kërkohet heqja e tyre

Barrikadat ne Rudar ne veri te Kosoves

Një shirit i sigurisë është i vetmi ndryshim në pengesat e vendosura.

Derisa ato vazhdojnë ta bllokojnë qarkullimin, situata në përgjithësi është e qetë.

Kalimi përtej barrikadave është i vështirë, derisa numri i kamionëve, autobusëve e mjeteve të tjera të vendosura për të bllokuar rrugën sillet rreth dhjetë.

Në krye të tyre vazhdon të jetë një kamion, donacioni i Bashkimit Evropian.

Krahasuar me fshatin Rudar, në hyrje të fshatit Zupç numri i mjeteve të rënda të vendosura për të bllokuar rrugën është më i vogël.

Drejt pikës kufitare në Bërnjak, përveç tre kamionëve të vendosur, nuk ka asnjë lëvizje, qoftë të banorëve apo edhe misioneve ndërkombëtare.

Shpërthime në Mitrovicë janë raportuar të kenë ndodhur një natë më parë.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës ka edhe në afërsi të Tre Rrokaqiejve në veri, aty ku në fillim të muajit dhjetor u sulmuan zyrtarët policorë e të Komisionit Komunal Zgjedhor.

Me armë të gjata, këta policë janë në gjendje gatishmërie.

Situata në veri ka nxitur reagime edhe të hënën.

Heqjen e barrikadave e ka kërkuar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Rivendosja e paqes dhe e stabilitetit në veri të Kosovës duhet të jetë prioritet. Sidomos sulmet ndaj EULEX-it. Unë pres që barrikadat e serbëve të Kosovës të çmontohen si ulje e përshkallëzimit. Mbështetje të plotë për dialogun, i udhëhequr nga BE-ja”, tha Von Cramon.

E kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka ironizuar me eurodeputeten Viola von Cramon, duke e cilësuar si “eksperte për gjithçka”.

Ndërsa përkrahjen për Kosovën e ka rikonfirmuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai e ka arsyetuar mungesën e kryeministrit Albin Kurti në prezantimin e projektit të portit të ri të Durrësit në Porto Romano

“Në rastin e kryeministrit të Kosovës e merrni vetë me mend që pamundësia është e lidhur me situatën e krijuar së fundmi në veriun e Kosovës, situatë në të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Republika e Kosovës kanë të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë sonë dhe të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Për situatën në veri të Kosovës sërish ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ka paralajmëruar që të enjten do të dorëzojë kërkesën për kthimin e forcave ushtarake e policore në Kosovë, kërkesë të cilën Vuçiqi është duke e përmendur që nga java e shkuar.

“Mbledhja e Qeverisë është të enjten dhe, siç janë gjërat, Qeveria do të marrë vendim për dërgimin e një letre komandantit të KFOR-it”, tha Vuçiq.

Barrikadat në rrugët që çojnë drejt kufirit mes Kosovës dhe Serbisë janë vendosur pasditen e së shtunës në shenjë proteste nga serbët për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Heqjen e tyre e kanë paralajmëruar krerë të institucioneve në vend, derisa kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se janë në pritje të KFOR-it për ta bërë një gjë të tillë.