Arbëri

Një muaj paraburgim për ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq

Ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Këtë për KOHËN e ka konfirmuar, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi. “Po atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji", ka theksuar Gashi.

Pantiq është arrestuar të shtunën e kaluar, nën dyshimin se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri të Kosovës. Për arrestimin e tij ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në një shkrim në Facebook, Sveçla ka thënë se Pantiq në të kaluarën ka qenë pjesëtar i MUP-it serb.

“I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit me ç'rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues. Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok”, ka shkruar Sveçla në Facebook.