Arbëri

Deklarata e Borrellit për sulmet ndaj EULEX-it në veri nxiti reagime në Kosovë e Serbi

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën të Jashtme, Josep Borrell, në reagimin e tij pas vendosje së barrikadave në veri ka dënuar sulmet ndaj EULEX-it pa përmendur sulmet ndaj policisë së Kosovës. Për këtë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka reaguar atij duke thënë se deklaratat që nuk e dënojnë Vuçiqin, e inkurajojnë përshkallëzimin e situatës. E, ambasadori i SHBA-së në Kosovë ka bërë thirrje që përgjegjësit të sillen para institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Sulmi me shok-bombë ndaj patrullës së misionit ndërkombëtar EULEX në veri, e sulmet ndaj policisë së Kosovës nxitën reagime të shumta, në mesin e tyre edhe të ambasadorëve të shteteve të QUINT-it.

Por përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në reagimin e tij ka thënë se nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it, pa përmendur sulmet ndaj policisë së Kosovës.

“Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të kthehet. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Gjithë akterët duhet të evitojnë përshkallëzimin”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Kjo formë e reagimin të Borrellit nuk i ka pëlqyer ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në një postim në Twitter, ajo ka shkruar se Borrelli duhet t’i dënojë gjithashtu edhe të shtënat ndaj policisë së Kosovës.

Ajo ka shkruar se deklaratat që nuk e dënojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për agresionin e tij të hapur, inkurajojnë përshkallëzim të mëtejshëm.

E, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sulmet e dhunshme ndaj personelit ndërkombëtar të sigurisë, por edhe ndaj policisë së Kosovës, janë të papranueshme.

Ai ka bërë thirrje që përgjegjësit të sillen para institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Sulmet i kanë dënuar fuqishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Për vendosjen e barrikadave e sulmet ndaj policisë më në fund ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kjo parti ka kërkuar nga ekzekutivi dhe nga institucionet e tjera të vendit koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se sulmet e grupeve kriminale në veri janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Por thirrje serbëve që të mos dorëzohen u kanë bërë të dielën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrja Ana Bërnabiq. Sipas tyre, zëri i serbëve në veri është duke u dëgjuar vetëm përmes krijimit të barrikadave.

Por për stabilizimin e situatës në veri, profesori universitar, Dorajet Imeri, thotë se nevojitet një reagim i fuqishëm i shteteve të QUINT-it ndaj deklaratave të Vuçiqit.

“Diçka pozitive për këtë fakt është që këto grupe për momentin nuk e gëzojnë asnjë mbështetje nga qytetarët serbë të asaj zone, të cilët duket se janë tepër të paktë në mbështetje, ose në daljet publike të tyre sidomos në periudhën e fundit, prandaj konsideroj që një reagim i fuqishëm i shteteve të QUINT-it ndaj presidentit Vuçiq do t'i neutralizonte së paku për një kohë këto struktura terroriste”, ka thënë Imeri.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta dërgojë njësitin special të Policisë së Kosovës në barrikada.

Rakiqi kërkoi lirimin e Pantiqit, u bën thirrje barrikaduesve t'i lejojnë KFOR-in e EULEX-in të lëvizin.