Arbëri

Policia: Grupet kriminale na sulmuan disa herë

Policia e Kosovës përmes një komunikate të shtunën ka thënë se është sulmuar në tri raste të ndryshme me armë zjarri nga grupet që ajo i ka quajtur kriminale në rrugën që të çon në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak. Por sulme, sipas informacioneve të Policisë, ka pasur edhe në disa lokacione të tjera.

Sipas komunikatës, njësitet policore janë detyruar t’i kundërpërgjigjen sulmeve me armë zjarri, duke i detyruar “bandat kriminale të zmbrapsen dhe të largohen në drejtim të panjohur”.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut. Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, vijon njoftimi.

Policia thekson se deri tani nuk ka informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara.