Arbëri

Çitaku: Qeveria dështoi t’i krijojë kushtet për zgjedhje

Descriptive Text

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka quajtur dështim të Qeverisë së Kosovës, vendimin për shtyrje të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Në deklaratën për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në të cilin u vendos për shtyrje të zgjedhjeve, Çitaku ka thënë se institucionet kanë dështuar.

“Sot presidentja na ftoi në takim konsultativ për ta shtyrë datën e zgjedhjeve. Ajo që dëgjuam qartë është se institucionet, Qeveria ka dështuar të krijojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në vend. PDK-ja nuk mund të hyjë e vetme në zgjedhjet në veri sepse ishte mendim i të gjitha subjekteve që këto zgjedhjet të shtyhen e ne iu bashkuam këtij konsensusi, megjithatë nga tash deri në prill kur mund të mbahen zgjedhjet kërkojmë nga Qeveria dhe institucionet që gjendjen në veri ta trajtojnë seriozisht. Shumë pak mund të ndryshojë gjendja në terren nëse qasja e institucioneve të Republikës nuk ndryshon. Si shtet s’guxojmë të dorëzohemi para bandave kriminale. E kuptuam që sot institucionet s’janë gati. Ky është dështim”, ka thënë Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se Qeveria duhet ta trajtojë më seriozisht veriun e jo përmes “tastierave të Facebookut”.

Ajo ka thënë se “çdo gjë do të ishte ndryshe”, sikur Qeveria t’i merrte parasysh rekomandimet e opozitës dhe ndërkombëtarëve.

“Për PDK-në, Republika është e para, do ta mbajmë konsensusin, jemi parti shtetndërtuese. Imagjinoni sikur partia që është në pushtet, do të ishte në opozitë. S’duam t’i riciklojmë modelet e kaluara të opozitëbërjes. Republika mbi të gjitha”, ka thënë ajo.