Arbëri

E mërkura, e qetë në veri - diplomatë e analistë druajnë për tensione

Descriptive Text

Pas një nate të tensionuar në veri, të mërkurën situata ka qenë e qetë. Nuk u pa numër i shtuar i policëve të Kosovës, por lëvizje të vazhdueshme bënë pjesëtarë të misioneve ndërkombëtare – KFOR-it dhe EULEX-it. Diplomatët perëndimorë shprehën shqetësimin për situatën, e analistët serbë thanë se ajo është në prag përshkallëzimi.

E demoluar nga jashtë e brenda është gjendja e njërës nga zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, pak metra larg nga qendra e veriut të Mitrovicës të banuar kryesisht me serbë.

Xhama të thyer, shenja të tymit në dritare, e shiritat e Policisë, janë mbetjet e shpërthimeve të një nate më parë në këtë objekt. Përball saj janë vendosur trupa të EULEX-it.

E, pas një nate të tensionuar në Mitrovicën e Veriut, të mërkurën situata ka qenë e qetë.

Nuk u pa numër i shtuar i policëve të Kosovës, por lëvizje të vazhdueshme bënë pjesëtarë të misioneve ndërkombëtare – KFOR-it dhe EULEX-it.

Për rreth gjysmë ore, në një restorant pranë Urës së Ibrit, qëndroi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Situatën në veri e vlerësoi të qetë, por hollësi nuk dha për arsyet e qëndrimit të tij në Mitrovicë.

“Ka shumë punë në këtë qytet, ka shumë punë në këtë zonë, prandaj edhe kam ardhur t’i koordinoj punët”. “Policia e Kosovës bën planet e saj dhe në bazë të vlerësimit të saj ne i shtojmë aq sa të ketë nevojë”, ka thënë Sveçla.

Situatën në veri ndryshe e sheh analisti Branislav Kërstiq.

“Situata nuk është e favorshme dhe kemi tensione të larta. Jemi në prag të një situate me mundësi të përshkallëzimit dhe konsekuencave shumë serioze…Nëse dikush dërgon forca në veri, ne do të kemi luftë këtu… në baza ditore jam duke parë njerëz të armatosur në veri”, ka thënë Kërstiq.

Të shqetësuar me situatën në komunat me shumicë serbe janë shprehur edhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike e atyre të sigurisë në Kosovë.

Shefi i EULEX-it, Lars Gunnar-Wigemark, ka thënë se misioni që drejton ai do të vazhdojë ta monitorojnë situatën.

“Jemi të shqetësuar nga incidentet e djeshme në pjesën veriore të Kosovës. Çfarëdo proteste duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të përmbajtur. EULEX-i në Kosovë do të vazhdojë të monitorojë situatën në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, ka thënë shefi i EULEX-it.

E ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka theksuar se dhuna e një nate më parë është e papranueshme.

“Shumë shqetësuese vërtet. Dhuna e djeshme kundër zyrave komunale zgjedhore është e papranueshme. Mirë që Policia e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është e pranishme. Përkrahje të plotë për protestat paqësore, por zero tolerancë për dhunën”, ka thënë Rohde.

Ndërkaq ambasadori i Francës, Olivier Guerot, është shprehur se rruga e vetme përpara është dialogu.

“Aktet e frikësimit janë shumë shqetësuese. Dialogu është rruga përpara”, ka thënë Guerot.

Përpjekjes së autoriteteve për t’i funksionalizuar zyrat e KQZ-së në veri, persona të panjohur i janë përgjigjur me plumba e bomba.