Arbëri

Sveçla: Policia dhe zyrtarët zgjedhorë u sulmuan me shok-bomba në veri

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri. Në një status në rrjetin social Facebook, ai ka njoftuar se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër.

“Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se Policia ka filluar hetimet për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të autorëve të këtyre sulmeve.

“Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se sulmet e tilla, me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor, janë të papranueshme. “Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cenohet nga askush. Zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik”, ka shkruar Sveçla.

Policia e Kosovës me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të martën ka asistuar zyrtarët komunalë të zgjedhjeve për funksionalizimin e zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.