Arbëri

Zv.kryeshefi i APK-së shpenzoi 3 mijë e 155 euro për derivate brenda 10 muajve

Vetura zyrtare APK, Bekim Hoxha

Një ditë më parë KOHA ka raportuar se ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë ka lëshuar autorizimin për një vit për zëvendëskryeshefin e Agjencisë së Pyjeve, Bekim Hoxha për përdorim të veturës zyrtare jashtë orarit të punës. Hoxha veturën e përdor çdo ditë edhe për vajtje-ardhje në punë nga Rahoveci

Mbi 24 mijë kilometra brenda dhjetë muajve i ka bërë me veturë zyrtare zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Pyjeve, Bekim Hoxha. Këto kilometra u kanë kushtuar taksapaguesve kosovarë 3 mijë e 155 euro.

Përveç detyrave zyrtare, Hoxha veturën e përdor çdo ditë edhe për vajtje-ardhje në punë nga Rahoveci.

KOHA ka raportuar se ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka lëshuar autorizim për përdorim të veturës zyrtare për Hoxhën për një vit, e që është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për përdorimin e veturave zyrtare.

Ekzekutivi kishte vendosur ndalimin e përdorimit të veturave zyrtare jashtë orarit të punës, me përjashtim të disa rasteve që bëhet me autorizim, por jo më gjatë se 72 orë.

E të dhënat e siguruara nga KOHA tregojnë se shpenzimet për karburant për veturën zyrtare të zëvendëskryeshefit janë 2024 litra për dhjetë muaj në vlerë 3 mijë e 155 euro.

Shpenzimet më të mëdha në derivate janë bërë gjatë muajve mars, maj dhe tetor, ku shuma për një muaj ka kaluar mbi 400 euro. Më pak ka shpenzuar gjatë muajit korrik, ku, siç informohet KOHA, Hoxha ishte një javë në pushim vjetor.

Gjatë muajit janar Hoxha ka bërë 3012 kilometra dhe ka shpenzuar 173 litra derivate, që kanë kushtuar 205 euro.

Në shkurt ai ka bërë 1 mijë e 611 kilometra, duke shpenzuar 176 litra, ndërsa kanë kushtuar 222 euro.

Kilometrat gjatë marsit ishin 2 mijë e 624, duke shpenzuar 254 litra derivate, që kushtuan 396 euro.

Shpenzimet për derivate gjatë muajit prill ishin 2 mijë e 378 kilometra dhe u shpenzuan 194 litra derivate dhe 302 euro. Në maj me veturën zyrtare Hoxha ka bërë 2 mijë e 808 kilometra, duke shpenzuar 261 litra e që buxhetit të shtetit i kanë kushtuar 420 euro.

Gjatë qershorit ai ka kaluar 2 mijë e 733 kilometra, duke shpenzuar 201 litra për të cilat agjencia ka paguar 366 euro. Në korrik, sipas të dhënave, vetura zyrtare e Hoxhës ka kaluar 1 mijë e 506 kilometra, duke shpenzuar 122 litra, që kushtuan 207 euro. Në muajin gusht Hoxha ka kaluar 2 mijë e 355 kilometra me veturë zyrtare dhe ka shpenzuar 183 litra që kushtuan 296 euro. Gjatë shtatorit ai kaloi afro 200 kilometra më shumë, saktësisht 2 mijë e 543 apo 204 litra, në vlerë 313 euro. Ndërkohë në tetor ai kaloi 2 mijë e 847 kilometra, duke shpenzuar 256 litra, përkatësisht 423 euro.

Dhënien e autorizimit për një vit e kishte arsyetuar ditë më parë për KOHËN ministri i Bujqësisë, Faton Peci, me rolin e zv.kryeshefit në parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve.

“Vetura zyrtare jepet në shfrytëzim për angazhimin e punës së përditshme. Ne kemi 44 për qind të territorit të Republikës së Kosovës... Dhe njëra nga arsyet të këtij aktiviteti është pajisja me vetura, përveç pajisjeve të tjera. Kështu që edhe këto pajisje do të jenë në shfrytëzim 24 orë”, ka thënë Peci.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në ditën kur APK-së i janë dorëzuar gjashtë vetura nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada Suedeze, që kanë për qëllim që të ndihmojnë në parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve.

Bekim Hoxha nuk është përgjigjur as gjatë të hënës lidhur me atë se sa kontrolle dhe monitorime i ka bërë jashtë orarit të punës dhe cilat janë gjetjet dhe konstatimet nga këto kontrolle.

E në përgjigjen paraprake ai ka thënë se Agjencia e Pyjeve gjatë periudhës janar-tetor ka shpenzuar rreth 60 mijë euro për derivate dhe i ka në dispozicion rreth 50 vetura. Kjo i bie që rreth 6 për qind të shpenzimeve për karburant për këtë periudhë janë bërë nga Hoxha.

Ndërsa, Qeveria në përgjigjen e saj ka thënë se janë në dijeni të çështjes së ngritur nga KOHA.

”Nga komunikimi me ministrinë e Bujqësisë e kemi kuptuar se një vendim i tillë është marrë me qëllim të rritjes së inspektimeve nga agjencia në fjalë. Nga po ai komunikim, na është konfirmuar se autorizimi i ministrit do të harmonizohet me kufizimet që përcakton vendimi i Qeverisë, gjithmonë duke ruajtur qëllimin fillestar të autorizimit të ministrit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Shpenzime të shumta nga zëvendëskryeshefi janë bërë edhe për udhëtime zyrtare jashtë vendit. Ai brenda 10 muajve ka shpenzuar 3 mijë e 350 euro, prej të cilave mbi 1 mijë janë mëditje.

Këto shpenzime janë më të larta se sa ato të vitit 2019 që i kishte bërë ish-kryeshefi i APK-së, Ahmet Zejnullahu. Ai kishte shpenzuar brenda një viti vetëm 428 euro.