Arbëri

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore kërkon veprime konkrete për mbrojtjen e grave

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore i ka dënuar dy vrasjet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë, një grua e cila u vra nga burri i saj me sëpatë dhe një grua shtatzënë po ashtu nga burri i saj, të dyja rastet në Prishtinë.

Ai është shprehur i shqetësuar për numrin e jetëve të grave të humbura në Kosovë nga dhuna e ushtruar nga partnerët apo ish-partnerët e tyre.

Si grup, kanë bërë thirrje institucioneve përkatëse që urgjentisht ta adresojnë dështimin e mbrojtjes institucionale, i cili lejon që dhuna e raportuar në familje të rezultojë në femicid dhe të ofrojnë mbrojtje efektive për ato viktima, jeta e të cilave është ende në rrezik.

Grupi ka thënë se format ekstreme të dhunës ndaj grave dhe vajzave janë të parandalueshme.

“Kjo mund të arrihet përmes ndërhyrjes së hershme dhe përmes partneritetit multi-sektoral dhe shumëpalësh”.

Ndërkohë, grupi ka renditur disa pika që duhet të ndiqen nga institucionet për të mbrojtur gratë dhe vajzat:

  • të garantojnë drejtësi për viktimat, veprime konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, mbrojtjen e viktimave, ndjekjen penale dhe dënimin e dhunuesve në përputhje me Konventën e Stambollit; 
  • të iniciojë programe për rehabilitimin e kryesve të veprave të dhunës që synojnë ndryshimin e modeleve të sjelljes së dhunshme;
  • ta zbatojnë ligjin për përdorimin e teknologjisë së monitorimit elektronik përmes “byzylykëve”, për t'ua mundësuar autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive të kufizojnë, rregullojnë dhe zbatojnë vendndodhjet, lëvizjet e dhunuesve, dhe në këtë mënyrë të parandalojnë përsëritjen e dhunës; 
  • të alokohen burime adekuate për të siguruar mekanizma më efektivë të raportimit nga punonjësit socialë të ngriten kapacitetet e policisë për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje me prioritet;
  • Të kryejë investigim të thuktë të rasteve të fundit të vrasjeve gjinore për t’i identifikuar dështimet në sistem, gjë që do të lejonte që ato të adresoheshin dhe rastet e vrasjeve të mos përsëriteshin;
  • krijimin e një Task Force të pavarur të përbërë nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, palëve të tjera të interesuara dhe përfaqësues të specializuar të OJQ-ve për ta vlerësuar trajtimin e rasteve të fundit të femicidit nga zyrtarët dhe institucionet përkatëse;
  • të investohet në luftën kundër stereotipeve gjinore dhe kulturës së dhunës ndaj grave dhe vajzave që në arsimin e hershëm.
  • të sigurohen në kryerjen e vlerësimit efektiv të rrezikut në rastet e Dhunës në Familje dhe zhvillimi i planeve të duhura të sigurisë për viktimat;
  • të monitorohen me rigorozitet urdhrat e mbrojtjes dhe t’iu sigurohet viktimave akses i menjëhershëm në mbrojtjen e policisë;
  • të sekuestrohen menjëherë armët e zjarrit kur një rast i Dhunës në Familje raportohet;

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) është një grup me shumë palë, i kryesuar nga UN Women.