Arbëri

Sveçla kërkon nga IPK-ja t'i fillojë hetimet ndaj policëve që u morën me rastin e gruas shtatzënë

Xhelal Sfecla Xhelal Sfeqla

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës t’i nisë hetimet ndaj punës, veprimeve dhe mosveprimeve të të gjithë zyrtarëve policorë që janë përfshirë në trajtimin e rastit të gruas shtatzënë që u vra të mërkurën para Gjinekologjisë.

Gruaja dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Sveçla ka paralajmëruar masa ndaj atyre që mund të jenë përgjegjës për rastin.

“Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës. Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Reagimi i tij ka ardhur një ditë pas ngjarjes së rëndë.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga Policia angazhim maksimal për arrestimin e të dyshuarit Sokol Halili. 

Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj. Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili. Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces. Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër”, ka shkruar Sveçla.